E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë që rrezikojnë regjistrimin në KQZ

09/12/2008  Kodi i ri Zgjedhor shton përplasjet për siglat e që shkaktojnë konfuzion tek zgjedhësit

Rasti më tipik ai mes Partisë Socialiste (PS) dhe PS ’91-t të Petro Koccit

Kodi i ri Zgjedhor “eliminon” nga konkurrimi për zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s partitë që kanë sigël të ngjashme me partinë më të vjetër pjesëmarrëse në garë. Ligjvënësit shqiptar kanë parashikuar në nenin 66 të ligjit për zgjedhjet rastet e identifikimit të subjekteve zgjedhore kur ato kanë shkronja nistore ose emblemë të ngjashme, çka mund të shkaktojë konfuzion te votuesit. Në listën e subjekteve zgjedhore që do të konkurrojnë në zgjedhjet e qershorit janë disa parti që duket se do të eliminojnë njëra-tjetrën. Propozimi i këtij neni në Kodin e ri Zgjedhor nga Partia Socialiste është pranuar nga Partia Demokratike.

Kodi

Mes dy partive që kanë shkronja të njëjta nistore do të përdorë siglën e saj për qëllime zgjedhore vetëm ajo që do të vendosë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Regjistrimi i datës së themelimit dhe ai i regjistrimit në KQZ do të jenë dy kriteret kyçe për vendimmarrjen në këtë rast. “Nëse dy parti politike ose koalicione kanë emër, shkronja nistore ose emblemë të njëjtë apo të ngjashme në atë masë sa mund të shkaktojë konfuzion ose lajthim të votuesve, atëherë KQZ-ja vendos cila parti ose cili koalicion ka të drejtë të përdorë emrin, shkronjën nistore ose emblemën përkatëse për qëllime zgjedhore, duke marrë në konsideratë datën e themelimit ligjor të partive ose datën e regjistrimit të parë të koalicionit në KQZ. Për të përcaktuar datën e parë të regjistrimit të koalicioneve, KQZ-ja u referohet edhe zgjedhjeve të mëparshme”, - thuhet në nenin 66 të Kodit Zgjedhor. Duke iu referuar këtij përcaktimi, KQZ-së pak ditë para zgjedhjeve, pas regjistrimit të të gjitha partive politike pranë këtij institucioni sipas detyrimit ligjor, i duhet të verifikojë germat nistore mes partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Gjithashtu do të duhet të caktojë më parë nëse mes shkronjave nistore të partisë së Petro Koçit PS ’91, partia më e re parlamentare, PSD-së së Gjinushit dhe PS-së së Ramës do të ketë konfuzion, apo mes PDK-së së Ndokës, PDS-së së Milos dhe PD-së së Berishës dhe më pas të vendosë se cila prej tyre do ta përdorë atë.

Regjistrimi i partive

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Ajo duhet të paraqesë vërtetimin se partia është regjistruar në gjykatën e Tiranës; emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët; emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë; specimenin e vulës së partisë; emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në.

Precedentët

Ndryshimi i siglave me qëllim mosrrjedhjen e votave drejt partive kundërshtare për shkak të paqartësive te zgjedhësit është parë si fenomeni më i përhapur pikërisht në zgjedhjet e fundit vendore. Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, para vitit 2007 janë regjistruar për të marrë pjesë në proceset zgjedhore me siglat PDSH dhe PSSH, ndërkohë që në ato vendoret e 2007-s ato thjeshtuan germat e fundit nistore, duke i lënë thjesht PD dhe PS. Ndërsa aleancistët, për të mos u shënuar në fund të fletës së votimit, nga PAD ndryshuan siglën, duke hequr shkronjën e parë. Kodi zgjedhor përcakton renditjen në fletën e votimit sipas rendit alfabetik. Po në zgjedhjet e shkurtit të 2007-s, me qëllim ngatërrimin e zgjedhësve, partitë politike përdoren edhe mbiemrat e kandidatëve. Balli Kombëtar Demokrat përballë kandidatit të PS-së për kryetar bashkie të kryeqytetit Edi Rama vendosi një kandidat me të njëjtin mbiemër, Akile Rama. Konflikti i parë politik mes partive politike për të njëjtin precedent është shënuar disa vjet më parë, kur PD-ja dhe PDR-ja janë konfliktuar në gjykatë për shkak të shkronjave të ngjashme nistore mes tyre.

Shmangia e gabimeve siglore

PDR-ja e Pollos shkrihet te PD-ja e Berishës

Ngatërresa e zgjedhësve disa vjet më parë për të shënuar votën e tyre mes Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Demokratike Reformatore (PDR) për shkak të shkronjave të ngjashme nistore, si dhe përcaktimet e Kodit të ri Zgjedhor duket se kanë qenë dy arsyet e pathëna nga liderët politike që përveç të tjerave kanë shërbyer si shkak për shkrirjen e këtyre dy partive në një para një muaji. Kryetarët e dy forcave të djathta politike, Sali Berisha e Genc Pollo, në fund të muajit tetor, pas shumë polemikash, kanë shtrënguar duart mes tyre, si nisje e bashkimit final. Pas tre vjetve bashkëqeverisje demokratët dhe reformatorët kanë arritur të sheshojnë ndarjet mes tyre dhe t’i premtojnë njëri-tjetrit bashkëpunim për zgjedhjet e pritshme të qershorit 2009. Të zgjedhurit e 2005-s nën siglën e reformatorëve në këto zgjedhje do të hyjnë nën siglën e partisë më të madhe të së djathtës, Partisë Demokratike. Genc Pollo, aktualisht zëvendëskryeministër në kabinetin qeveritar “Berisha”, dhe deputeti Tritan Shehu janë kthyer në selinë blu nëntë vjet pas largimit prej saj.

Çfarë parashikon Kodi Zgjedhor

Neni 64

Regjistrimi i partive politike si subjekte zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend

1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:

a) vërtetimin se partia është regjistruar në gjykatën e Tiranës;

b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët;

c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;

ç) specimenin e vulës së partisë;

d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë;

dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në.

Neni 65

Regjistrimi i koalicioneve zgjedhore

1. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

2. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën

pjesë.

Neni 66

Identifikimi i subjekteve zgjedhore

Nëse dy parti politike ose koalicione kanë emër, shkronja nistore ose emblemë të njëjtë apo të ngjashme në atë masë sa mund të shkaktojë konfuzion ose lajthim të

votuesve, atëherë KQZ-ja vendos cila parti ose cili koalicion ka të drejtë të përdorë emrin, shkronjën nistore ose emblemën përkatëse për qëllime zgjedhore, duke marrë në konsideratë datën e themelimit ligjor të partive ose datën e regjistrimit të parë të koalicionit në KQZ. Për të përcaktuar datën e parë të regjistrimit të koalicioneve, KQZ-ja u referohet edhe zgjedhjeve të mëparshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›