E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani nuk fiton as me Bylisin, protesta ndaj gjyqtarit Guce

Bylisi mori një pikë të vlefshme ndaj Partizanit (1-1) në “Selman Stërmasi”, duke regjistruar barazimin e dytë rresht ndaj skuadrave kryeqytetase, pas atij në Ballsh me Tiranën (0-0) në javën e 6-të. Edhe barazimi i fundit midis Partizanit e Bylisit kishte përfunduar po 1-1, në shkurt të vitit 2002.

As rikthimi i Elis Bakajt nuk i ndihmoi “demat e kuq”, që e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të mesfushorit lushnjar Viktor Gjyla, i cili pati dhe një debat aspak të këndshëm në bankinë me trajnerin Hasan Lika.

Artan Karapici shënoi golin e vetëm për të kuqtë pas një goditje me kokë në minutën e 14-të, në një duel ajror me portierin nigerian Bylisit, Emanuel Egbo. Ky ishte goli i tretë sezonal për Karapicin, duke u bërë golashënuesi më i mirë i ekipit.

Për të veçuar është një fakt: Partizani në shtatë javë ka shënuar vetëm 4 gola. Golin tjetër për formacionin e Likës e ka shënuar braziliani Bruno.

Në minutën e 56-të Bylisi realizoi golin e barazimit me një 11-metërsh të akorduar nga gjyqtari Shkëlqim Guçe, pas një ndërhyrje të lojtarit të Partizanit. Viktor Gjylës. Një vendim i kundërshtuar ashpër nga stafi teknik i Partizanit.

Fantazisti vlonjat Roland Nënaj u tregua i pagabueshëm nga pika e bardhë, duke i dhënë një pikë të çmuar trajnerit Hysen Dedja. Partizani e Bylisi sërish ndajnë dy vendet e fundit me pikë të barabarta, nga 5, por ajo që duhet theksuar është fakti se Partizani ende nuk ka fituar një takim në shtëpi në katër takime të zhvilluara.

E Diele, 19 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›