E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Parukieri" arreston hasmin e Ben Qimes

Policia e Fierit në bashkëpunim me forcat e grupit operacional për personat e shpallur në kërkim, seksion ky pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka vënë në pranga një nga më të kërkuarit e Fierit, Selami Hasanin. Edhe pse me pamje tërësisht të ndryshuar, 43-vjeçari Hasani është dalluar fare mirë nga agjentët e policisë. Ata kanë ndjekur lëvizjet e Hasanit për më shumë se dy muaj dhe kanë arritur mëngjesin e së mërkurës në finalizimin e operacionit "Parukieri", ku u angazhuan më shumë se 40 uniforma blu. Në orën 05:10 të së mërkurës, agjentët e policisë vunë në pranga, pas shtatë vitesh kërkim, autorin e dy vrasjeve dhe dy plagosjeve.

Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Premçi, në një prononcim për gazetën "Shqip" ka treguar detaje të këtij operacioni. Sipas Premçit, seksioni i personave të shpallur në kërkim kishte arritur disa herë më parë të siguronte informacione për lëvizjet e 43-vjeçarit Selami Hasani, por asnjëherë nuk e kishte vënë atë në pranga. Emri i 43-vjeçarit qëndronte edhe në listat e personave të kërkuar nga Interpoli.

Në mesin e muajit maj të këtij viti, në rrugë operative, policia ka marrë të dhëna se 43-vjeçari ishte kthyer në Shqipëri dhe qëndronte në banesën e tij, në lagjen "1 Maj Kodër" të qytetit të Fierit. Në zbulimin e të dhënave të mëtejshme janë vënë agjentë të Policisë së Fierit si dhe të Tiranës. Policia kishte siguruar në afro dy muaj hetim edhe imazhin e ri të të kërkuarit, i cili për të mos u dalluar, ishte qethur tullac, kishte hequr mjekrën dhe mustaqet, si dhe kishte ndërhyrë në vetulla, duke bërë mjaft përmirësime të tipareve të tjera të fytyrës. Mbrëmjen e së martës policia kishte marrë informacionin e saktë se Hasani ndodhej në shtëpi. Pas mesnate, në Fier, kanë mbërritur edhe forcat speciale të grupeve operacionale, të cilat së bashku me dhjetëra agjentë të Policisë së Fierit i janë drejtuar lagjes "1 Maj Kodër" dhe pikërisht banesës së Selami Hasanit që ndodhet pranë lokalit të tij të njohur me emrin "Kuçama". Agjentët kanë krijuar tre kordonë policore me qëllim mbulimin e ndërhyrjes. Pas sigurimit të rrethimit të 43-vjeçarit ata i kanë bërë thirrje për t‘u dorëzuar, por ai është larguar në drejtim të daljes jugore të banesës, në pjesën e pasme të saj. Këtu kanë ndërhyrë forcat speciale, që bënë paralizimin e lëvizjeve të 43-vjeçarit, duke e vënë atë në pranga. I shumëkërkuari është çuar në mjediset e Komisariatit të Policisë së Fierit. Drejtori Shemsi Premçi bën të ditur se, në momentin e arrestimit, Selami Hasanit i janë gjetur dy armë zjarri. "Hasanit i është gjetur pas prangosjes një pistoletë e tipit TT me 13 copë fishekë dhe një pistoletë e dytë e tipit ‘Zastava‘ (Magnup) me 14 copë fishekë. Këto janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe përveç dënimit të marrë për veprat e mëparshme penale, Selami Hasani do të përgjigjet edhe për veprën penale të ‘armëmbajtjes pa leje‘. Kjo do të shtojë edhe më shumë vitet e dënimit për të arrestuarin", ka thënë drejtori Premçi.

Mësohet se në mjediset e komisariatit, pas arrestimit, 43-vjeçari nuk ka dashur të flasë për grupin e hetimit, ndërkohë që të vetmet fjalë që ka thënë, lidheshin me pafajësinë që pretendon si dhe me dënimin e pamerituar që i ka dhënë drejtësia shqiptare.

Dënimi i super të kërkuarit

25 vjet burg për vrasjen e dy personave

Me vendim nr.205, Gjykata e Fierit, më datën 3.11.2004, e ka dënuar Selami Hasanin me 25 vjet burg për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve. Kjo çështje është çuar për apelim në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila me vendim nr. 194, datë 08.06.2005 lë në fuqi dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier. Çështja shkon edhe në Shkallën e Tretë të gjykimit në Tiranë. Gjykata e Lartë rrëzon vendimin e Gjykatës së Fierit dhe e dërgon çështjen për rishqyrtim. Rinisja e gjykimit të kësaj çështjeje ka faktuar edhe një herë autorësinë e krimeve të kryera nga Hasani dhe ka bërë që me vendim të formës së prerë Gjykata e Vlorës të vendosë dënimin me 25 vjet burg të Selami Hasanit. Numri i vendimit të formës së prerë është 2, dhe mban datën 4.08.2008. Pas pesë vitesh përpjekjeje me drejtësinë dhe pas njohjes së vendimit të formës së prerë, policia e vendos emrin e Selami Hasanit në krye të listës së personave të shpallur në kërkim dhe e dërgon emrin e tij pranë strukturave të Interpolit. Po ashtu Hasani dyshohet si autor edhe i shumë veprave të tjera, për të cilat Policia e Fierit është duke hetuar dhe dokumentuar me dhjetëra dosje.

Zanafilla e vrasjeve

Hasmëria mes Hasanëve dhe Isufajve

Hasmëria mes këtyre dy fiseve në qytetin e Fierit konsiderohet si një nga përplasjet më të ashpra dhe me shumë viktima. Të arrestuarit Selami Hasani i janë vrarë si shkak i hasmërisë tre vëllezër. Ndërsa vetëm njëri, më i madhi, ka shpëtuar. Zanafilla e hasmërisë regjistrohet në vitet e para të pas ‘90-ës, në një bilardo në lagjen "Sheq i Vogël". Bilardoja administrohej nga babai i Ben Qimes. Gjatë një loje në këtë bilardo, babai i Ben Qimes qëllon me pëllëmbë Lad Hasanin, vëllain e të arrestuarit të djeshëm. Ky i fundit, sipas policisë, edhe pse kishte lidhje të ngushta me të birin e atij që e qëlloi me pëllëmbë Ben Qimen, nxjerr pistoletën dhe e vret. Në prani të kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë edhe shtetasi Pirro Koçiu, i cili është vrarë vite më vonë. Kjo ngjarje konsiderohet si fillimi i bujshëm i kësaj hasmërie, që është pasuar me shumë ekzekutime mafioze. Kujtojmë se Arben Isufi, ose Ben Qimja, është dyshuar si autor i vrasjes së Pirro Koçiut. Pas arrestimit të tij të bujshëm një vit më parë, provat e munguara bëjnë që më 28 qershor të këtij viti, Arben Isufi të lihet i lirë dhe të fitojë pafajësinë.

Historia

Vrasja e krahut të djathtë të Ben Qimes

Mesditën e 25 marsit të vitit 2002, në qendër të qytetit të Fierit, në vendin e quajtur Valuta, është ekzekutuar me armë zjarri kallashnikov kushëriri i parë i Arben Isufit, ose siç njihet ndryshe, Ben Qimja. Bëhet fjalë për Julian Isufin, i biri i Ahmetit, të cilin Ben Qimja e kishte personin më të afërt dhe më të besuar. Sipas dosjes së gjykimit për Selami Hasanin del se kjo ngjarje ka ndodhur mesditën e 25 marsit. Selami Hasani ka qenë në një makinë të tipit "Volsëagen" me ngjyrë të bardhë së bashku me Pëllumb Yzeirin dhe Kujtim Hasanbashën. Mësohet se ata ishin vënë në ndjekje të Julian Isufit, me qëllim ekzekutimin e tij. Isufi ndodhej në makinën personale, në shoqërinë e mikut të ngushtë, Bledar Kastrati. Isufi dhe Kastrati i janë afruar tregut të zi valutor në qendër të Fierit. Pranë makinës së tyre është afruar kambisti Esat Tare, ndërkohë që me dhjetëra kalimtarë ishin në lëvizje. Hasani dhe dy bashkëpunëtorët, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha, i janë afruar disa metra makinës së kushëririt të Ben Qimes dhe e kanë qëlluar me breshëri automatikësh mbi ta. Nga breshëritë e automatikëve mbetën të vdekur në vend Julian Isufi dhe kambisti Esat Tare, ndërkohë që plagoset shoku i kushëririt të Ben Qimes, Bledar Kastrati, si dhe një kalimtar i rastësishëm Taip Sulaj. Më pas autorët me makinën e tyre ndjekin rrugën për në qendër të qytetit dhe përshkojnë me një shpejtësi të madhe unazën për të kaluar në rrugën e "Plykut dhe Mbyetit". Si shkak i postblloqeve të shumtë policorë të ngritur në të gjitha rrugët e Qarkut të Fierit, Selami Hasani ndjek rrugën e fshatrave dhe braktis makinën e tij në afërsi të Ballshit. Thuhet se nga fshati Rroms i Mallakastrës, ai ka kaluar në zonën e Vlorës për të ikur me skaf brenda pak orësh në Itali, nga ku komunikoi me të afërmit vetëm 12 orë pas vrasjes së kryer. Që në momentet e para të vrasjes, policia ka nxjerrë se autor i dyshuar ishte Selami Hasani, ndërkohë që hetimi dhe gjykimi i mëvonshëm i faktuar edhe në prova shkencore vërtetoi se Hasani ishte autor i ngjarjes së rëndë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›