Pas 1 jave në spital, ndërron jetë Arbën Xhaferi

Ka ndërruar jetë rreth orës 16:00 të pasdites së sotme në spitalin e Shkupit Kryetari i nderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbën Xhaferi. Burime nga spitali i këtij qyteti bëjnë me dije se shkak i vdekjes është bërë një hemoragji cerebrale.
“I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë mjeku Sllobodan Damjanoski.
Prej 7 ditësh ai gjendej i shtruar në spitalin e Shkupit nën mbikqyrje 24 orë nga ekipi i specialistëve në Klinikën e neurokirurgjisë në Shkup, nën drejtimin e specialistit Vlladimir Mirçevski, në përkujdesje intensive, që nga dita e mërkurë ku u gjet në gjendje kome në banesën e tij në Tetovë.
Edhe më herët specialisti Vlladimir Mirçevski, kishte paralajmëruar se 10 ditët nga shtrimi i Xhaferit do të ishin decizive për mbijetesën e tij, ndërsa kishte njoftuar se gjatë kësaj periudhë nuk do të mund të realizohet as edhe ndërhyrje kirurgjikale.
Kohëve të fundit Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga marrja me politikë aktive ndërsa kohëve të fundit ai më shumë merrej me shkrime autoriale. Arbën Xhaferi ka lindur në Tetovë, më 24 janar 1948.
Ka mbaruar Fakultetin Filozofik, ndërsa deri në vitin 1990 ka punuar në Radiotelevizionin e Prishtinës.