Trazirat në Francë, Valls: E papranueshme, të respektohet ligji

Ministri i brendshëm francez i ka cilësuar si të pajustifikueshme përleshjet mes policisë dhe banorëve të qytetit Amiens. Gjatë një vizite në qytetin e trazirave Manuel Valls tha se nuk mund të konsiderohet normale kur armët kthehen në drejtim të policëve.
“Është e papranueshme, ligji dhe rendi duhet të respektohen" tha Valls ndërsa theksoi se një numër i madh njerëzish janë të terrorizuar. Sipas policisë shkak për trazirat duket se ka qënë arrestimi i një personi për mënyrën e drejtimit të makinës.
Përleshjet e dhunshme mes të rinjve dhe policisë plagosën 16 persona dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme ne Amiens. Rreth 100 të rinjë sulmuan me fishekzjarre policinë, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Sipas mediave ndërkombëtare trazirat në vende si Amiens shpesh ndodhin për shkak të pakënaqësisë, ndërsa papunësia e të rinjve në qytete periferike mund të jetë në 40 për qind. Situata e tensionuar solli reagimin e menjëhershëm të presidentit, Fransua Hollande, i cili tha se prioritet do të jetë siguria.
Ministria e Brendshme ka dërguar 100 oficerë policie shtesë në Amiens, ndërsa tani qyteti është klasifikuar si një nga 15 zonat e sigurisë "prioritare" në vend, në nevojën e policisë shtesë.