E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas gjashtë ditësh, Greqia mund zjarret e Rodos

Zjarrfikësit grekë arritën të vinin disi nën kontroll zjarrin e përmasave të mëdha në ishullin Rodos, i cili zgjaste prej 6 ditësh i nxitur nga erërat duke 

provokuar djegien e dhjetëra akrash me pyje dhe kishte detyruar evakuimin e banorëve dhe turistëve. Më shumë se 200 zjarrfikës bashkë me 100 ushtarë dhe 300 punëtorë të mbrojtjes civile dhe vullnetarë ishin angazhuar për të fikur zjarrin, i cili shkatërroi 10 000 akra pyje në ishullin e Egjeut. “Zjarret në pyje tani janë nën kontroll, por ne jemi ende në gatishmëri, në rast se ndonjë prej tyre hapet përsëri papritur”, tha një zjarrfikës për “Reuters”. “Nuk ka pasur raportime për të lënduar. Franca, Italia, Qipro dhe BE dërguan ndihma, pajisje e avionë për të ndihmuar në kontrollin e  zjarreve. Zjarret në Rodos ishin më të rëndat nga 100 zjarret që ranë në Greqi gjatë kësaj vere dhe sollën kujtime të zjarreve 10-ditore, të cilat vitin e kaluar vranë 65 njerëz dhe e çuan Greqinë në një gjendje të jashtëzakonshme. Disa hotele pranë zjarreve kanë evakuuar turistët të premten, por ata u kthyen në hotelet e tyre të shtunën dhe të dielën. “Ne evakuuam rreth 1 000 turistë për shkak të tymit të dendur në zonat pranë, edhe pse nuk kanosej rrezik për askënd”, tha për “Reuters” Spyros Efstathopoulos, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë greke të Turizmit. Ai shtoi se aktualisht në Rodos ka rreth 100 000 turistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›