E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komandot lahen pas ankesës në Shqip

Autoritetet ushtarake çuan dje furnizime në fushimin e forcave të Repartit 1030

Menjëherë pas publikimit në gazetën “Shqip” të letrës së forcave komando të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë Nr. 1030 të Poshnjës, kanë reaguar instancat drejtuese në këtë bazë. Burime të brendshme pranë këtij reparti ushtarak, bëjnë me dije se dje ka pasur vizita nga drejtues të lartë të ushtrisë, për të parë nga afër kushtet dhe nëse qëndronin ankesat e ngritura nga dhjetëra ushtarë.
Pas inspektimit në këtë zonë, ku 200 komandot kanë nisur prej dhjetë ditësh fushimin, janë parë nga afër kushtet ku ata jetojnë prej disa ditësh dhe që dje kanë filluar të ndryshojnë mënyrën e qëndrimit ndaj tyre.

I kontaktuar me anë të telefonit, nënkolonel Gëzim Marku ka pohuar për “Shqip” se kushtet janë disi të vështira. “Por kjo është normale për përgatitjen e trupave komando, pasi dihet që për shkak të pozicionit të tyre duhet të përballen me çdo lloj vështirësie”, tha mes të tjerash nënkoloneli Marku. Ndërkohë ai nuk ka lejuar përfaqësues të medias të shohin nga afër kushtet në të cilat po jetojnë ushtarët prej 10 ditësh.

Ndërkaq, burime nga vetë forcat komando bëjnë me dije se që dje, disa prej tyre janë lejuar të shkojnë pranë banesave të tyre për të larë dhe ndërruar rrobat. Ndërkohë që dhe gramatura dhe cilësia e ushqimit ka nisur të jetë brenda standardeve të përcaktuara për këtë kontingjent ushtarësh. Masa janë marrë dhe për furnizimin me ujë të pijshëm. Janë vendosur depozita me ujë të bollshëm, gjë e cila do të shërbejë për përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare. Ndërkohë ajo që mbetet shqetësuese është fakti i mungesës së uniformave, pasi kanë vetëm ato të misionit të parë paqeruajtës.

Denoncimi për kushtet skandaloze në të cilat po stërviten komandot e Repartit të Reagimit të Shpejtë të Poshnjës u bë publike me anë të një letër ankese të ushtarëve.

Ushtarët janë nisur për një stërvitje përgatitore dhjetë ditë më parë, ndërkohë që parashikohet që kjo stërvitje të zgjasë plot 20 ditë. Kampi është ngritur katër kilometra larg repartit të tyre dhe ndodhet në fshatin Poshnjë të rrethit të Beratit. Komandot u ankuan se po stërviteshin në kushte skandaloze, ku nuk u plotësonin kushtet minimale higjieno-sanitare. Në letër ata shkruanin se kishin dhjetë ditë pa u larë, në kushtet kur temperaturat e ambientit arrinin deri në 30 gradë Celsius. Sa i përket ushqimit, ushtarët shqiptarë që dërgohen në misione jashtë vendit në kuadër të NATO-s, shkruanin në letrën e tyre drejtuar gazetës se: “Mëngjesi dhe darka janë shumë të pakta, aq sa të hajë një mace shtëpie”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›