Pas ftohjes me kancelaren gjermane Merkel, Sarkozi takon homologun britanik, Braun
Nikolas Sarkozi dhe Gordon Braun janë dy persona me karaktere aq të ndryshme politike, saqë opinioni publik britanik e pret me shumë interes vizitën e Sarkozisë. Ekspertët për politikën europiane flasin për një motor të ri francezo-britanik, sepse Sarkozi nuk kuptohet aq mirë me kancelaren gjermane, Merkel. Flitet se Sarkozi është i gatshëm të dërgojë menjëherë 1000 ushtarë shtesë në Afganistan dhe se do të krijojë një iniciativë të re për furnizimin me energji. Por deri tani nuk është deklaruar asgjë hapur, kështu që këto mbeten spekulime. Marrëdhëniet jo të mira Merkel-Sarkozi përmirësojnë ato franko-britanike. Katinka Barisch, zv.drejtore e European Center, thotë: “Shkak për këtë vizitë është marrëdhënia e ftohur tashmë gjermano-franceze. Merkel dhe Sarkozi nuk kuptohen me njëri-tjetrin”. Pra, meqenëse ka probleme me Merkelin, presidenti francez i afrohet tani kryeministrit britanik Braun në Londër. Me fjalimin përpara Parlamentit britanik dhe takimin me kryeministrin Braun, Sarkozi kërkon që të dëshmojë në radhë të parë vullnetin për bashkëpunim më të ngushtë, shpjegon Barisch: “Në qendër të takimeve është sigurisht vullneti i mirë për bashkëpunim. Deri përpara pak kohësh nuk ishte kështu. Bleir dhe Shirak nuk kuptoheshin fare me njëri-tjetrin, sidomos pas debateve që u zhvilluan mbi luftën e Irakut. Ky është një hap shumë i madh dhe tani mbetet të shpresojmë se takimet do të kenë edhe pak përmbajtje.”
(D. W)
28 Mars 2008