E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, bllokohet rruga për makineritë e zonës së vilave

 

VLORE - Konflikti i banorëve të Vlorës me Gardën dhe forcat e rendit për zonën e vilave qeveritare vijoi edhe dje. Ashtu sikurse edhe ditët e tjera, nuk kanë munguar as përplasjet trup më trup ndërmjet tyre. Banorët vazhdojnë t’i kërkojnë Gardës dokumentacionin për zonën sipas tyre të zaptuar. Por Garda nuk iu ka kthyer asnjë përgjigje, duke i larguar banorët forcërisht në rastet kur ata kanë tentuar të kalojnë telat me gjemba, e madje edhe murin rrethues që është ende në ndërtim. Policia dje bllokoi edhe një pjesë të aksit rrugor që prej vendit të quajtur “Rrapi” deri pranë rezidencës qeveritare. Për shkak të bllokimit të rrugës, që prej orës 10:00 deri në orët e pasdites nuk është dhënë asnjë njoftim, duke shkaktuar dhe probleme në qarkullimin rrugor. Mjetet janë detyruar të kalojnë në një tjetër rrugë, e cila është mbajtur nën kontroll gjithashtu nga policia për të shmangur incidente të mundshme. Shkak për bllokimin dhe më pas devijimin e rrugës është bërë që të mbuloheshin punimet për ndërtimin e murit rrethues të vilave qeveritare. Gjatë procesit për punimet e murit, të pranishëm ishin forcat e policisë së bashku me ato të Gardës, të cilët ruanin mbarëvajtjen e punimeve. Burime nga bashkia e Vlorës bënë të ditur se nuk kishin dhënë leje për ndërtimin e këtij muri.                                          q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›