Pas liberalizimit, ku mund të udhëtoni pa marrë vizë
Një studim i fundit i publikuar për çështjen e liberalizimit të vizave bën të ditur se qeveria shqiptare duhet që në një kohë shumë të shkurtër të plotësojë detyrimet e fundit të vëna nga Brukseli. Një grup ekspertësh kanë përgatitur materialin “Monitorimi i Procesit të Liberalizimit të Vizave: çfarë duhet të presim?”. Ai i përket majit 2010. Ky material i shpërndarë nga Lëvizja Europiane në Shqipëri thekson se muajt e fundit, Shqipëria ka shënuar përparime në rrugën drejt përmbushjes së standardeve. Megjithatë, është e domosdoshme që Shqipëria të tregojë rezultate konkrete, veçanërisht për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, të cilat mbeten çështje shqetësuese. Me hyrjen në fuqi të vendimit të BE-së për heqjen e regjimit të vizave, hap i cili pritet të kryhet para fundit të vitit 2010, qytetarët shqiptarë (dhe boshnjakë) do të kenë mundësinë të udhëtojnë në 25 vende anëtare të BE-së pjesëtare të hapësirës “Schengen”, si dhe në 3 vende jo anëtare të BE-së të cilat e kanë pranuar këtë acquis. Qytetarët e pajisur me një pasaportë biometrike do të mund të udhëtojnë për një periudhë kohore deri në 90 ditë (3 muaj) çdo 180 ditë (6 muaj) për arsye turistike apo studimi. është e rëndësishme të theksohet se pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike merr përparësi, pasi nga procesi i liberalizimit të vizave do të përfitojnë vetëm ata qytetarë që posedojnë pasaporta biometrike. Periudha 6-mujore fillon të numërohet nga dita e parë e udhëtimit të parë në zonën “Schengen”. Duke qenë se Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda mbeten jashtë zonës së “Schengen”-it, për të udhëtuar drejt këtyre vendeve do të nevojitet pajisja me vizë edhe pas liberalizimit të vizave. Nuk do të jetë i mundur qëndrimi në vendet e zonës së “Schengen”-it për arsye punësimi. Për çdo arsye migrimi të ndryshme nga vizitat turistike apo të studimit me një kohëzgjatje deri në tre muaj, do të vazhdojnë të aplikohen rregullat aktuale të pajisjes me viza nga konsullatat e vendeve përkatëse. Punësimi dhe banimi në zonën e “Schengen”-it pa vizë ose leje qëndrimi të vendit pritës janë të jashtëligjshëm dhe do të ndëshkohen me sanksionet e parashikuara në legjislacionin e vendit pritës. Pavarësisht se qytetarëve të pajisur me një pasaportë biometrike nuk do t’u nevojitet vizë për të hyrë në zonën “Schengen”, kushtet e zakonshme të hyrjes për të gjithë qytetarët e vendeve të treta do të vazhdojnë të aplikohen. Kjo do të thotë që në pikat e kalimit të kufirit, udhëtarëve mund t’u kërkohet të vërtetojnë se kanë burime të mjaftueshme financiare për udhëtimin, ose mund t’u kërkohet informacion specifik mbi vendin ku do të rrinë. Gjithashtu personat nuk duhet të konsiderohen rrezik për rendin publik, shëndetin publik ose sigurinë e brendshme dhe nuk duhet të jenë persona ndaj të cilëve ka pasur sinjalizime për t’u refuzuar hyrjen në një nga vendet e “Schengen”-it. Bazuar në Konventën e Shengenit, autoritetet kufitare të vendeve anëtare kanë të drejtën të refuzojnë hyrjen nëse nuk plotësohen këto kushte dhe janë në çdo rast ato që marrin vendimin përfundimtar mbi hyrjen. Kësisoj, nëse aktualisht përgjegjësia për mundësimin e lëvizjes së qytetarëve ndahet mes zyrave konsullore të vendeve të hapësirës “Schengen” të pranishme në Shqipëri dhe pikave të kalimit kufitar të kësaj hapësire dhe ato shqiptare, pas heqjes së regjimit të vizave, kjo përgjegjësi do të transferohet tek pikat shqiptare të kalimit kufitar dhe ato të vendeve të hapësirës “Schengen”.
#