E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasioni i Jessica Albas

Është kërcimtarja e zhveshur e "Sin City"; është protagonistja e kalendarit të "Campari"-t; është gruaja imazh e "Revlon"; është mbështetësja e Obamas që nga dita e parë e shfaqjes së tij dhe një përkrahëse e ekologjizmit. Por, mbi të gjitha, sot Jessica Alba është mamaja e Honor Marie, e cila lindi në muajin gusht të vitit të kaluar. Alba është një përzierje e rrallë e sensualitetit dhe bukurisë, me një karrierë brilante dhe një jetë private solide, duke e bërë këtë aktore 27-vjeçare, një ikonë të asaj që sot Hollivudi pret nga një aktore. Le të marrim emrin e vajzës: ndërkohë që aktorët e tjerë kënaqen me diçka abstrakte mes fantazisë e pakuptimësisë, ajo ka zgjedhur një emër të veçantë, si Honor Marie. "Besnikëria dhe ndershmëria janë bazat mbi të cilat kam mbështetur edukimin e vajzës sime", shpjegon aktorja e mrekullueshme, një bukuri që ra menjëherë në sy, si për pamjen e saj, ashtu edhe sjelljen.

E bërë e famshme në vitin 2000 nga regjisori James Cameron në serialin televiziv "Dark Angel", Jessica Alba nuk u vlerësua vetëm nga publiku, por edhe nga regjisorët: serioze dhe e përkushtuar në punë, gjithashtu shumë e kujdesshme në zgjedhjen e projekteve. Gjithsesi, për ta bërë një ikonë seksi mjaftuan disa skena të filmit "Sin City" i regjisorit Robert Rodriguez. Në këtë film, Alba është kërcimtarja që bën për vete Bruce Willis, një prej personazheve më të kërkuar, i cili pranoi ofertën e këtij filmi. Pas shumë filmave aksion, të marrë nga ato vizatimorë, Jessica Alba u përpoq të ndryshonte llojin e filmave: ishte protagoniste në komedinë "Goog luck Chuck", në horrorin "The Eye" dhe në filmin komik "The Love Guru" me Mike Meyers dhe Ben Kingsley. Në këtë periudhë kaq të ngarkuar me impenjime, aktorja ka gjetur kohën të martohet me Cash Warren, asistent/regjisor, të cilin e njohu gjatë xhirimeve të filmit "Fantastic Four" dhe për të sjellë në jetë Honor Marie. Pas martesës çifti është transferuar në një vilë të madhe në kodrat e Los Anxhelosit. "Në qytet nuk do të heq kurrë dorë nga mënyra e jetesës së ‘gjelbër‘", thotë Jessica, që ka lindur në Kaliforni dhe është rritur mes Misisipit e Teksasit, për të ndjekur punën e të atit, një funksionar i aeronautikës ushtarake. "Do të vazhdoj të mbaj kafshë në shtëpi, të mbjell perime dhe të shfrytëzoj energjinë diellore. Jam një ekologjiste e vërtetë. Pasi t‘i ndaj gjirin vajzës, do ta ushqej vetëm me ushqime biologjike".

Ndoshta të gjithë i habit mënyra e jetesës së Jessica-s, por kjo është pika e saj e fortë: "Eksperienca ime në Hollivud më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është ndërtimi i një podiumi të madh fansash që mbushin karriget e kinemasë. Unë këtë qëllim e kam arritur me disa filma komercialë e të suksesshëm. Tani dua të tregoj edhe shkathtësinë si aktore, kjo për t‘i treguar publikut se nuk jam vetëm ajo tip vajze që fiton në filmat vizatimorë. Dua të tregoj në mënyrë bindëse se jam po aq e zonja sa çdo aktore tjetër", thotë ajo. Në këtë intervistë, seks-simboli i Hollivudit flet edhe për filmin e saj të ri, "An invisible sign of her own", një dramë femërore, ku aktron përkrah Sonia Braga (janë nënë e bijë).

Nëna juaj është me origjinë daneze e franceze, babai është 100 për qind meksikan. E konsideroni një avantazh këtë përzierje shumetnike?

Absolutisht po. Të lindësh nga një përzierje kulturash të ndryshme të ndihmon të përshtatesh menjëherë në çdo ambient. Nuk jam as hispanike, e as e bardhë 100 për qind. Jam pak nga njëra e pak nga tjetra dhe për këtë nuk qahem. Kur isha e vogël kam frekuentuar një shkollë dygjuhëshe, angleze dhe spanjolle. Falënderoj prindërit që insistuan në vendimin e tyre, edhe pse e pranoj që kohët e fundit spanjishtja ime lë për të dëshiruar.

Në fillim të karrierës suaj në Hollivud, të gjithë ju shihnin si latine, apo jo?

Është e vërtetë, por mua më dukej absurde. Mendoj se e kam kapërcyer këtë stereotip. Amerika po tregon se nuk e bezdis shumë ngjyra e lëkurës.

Në ç‘moshë zbuluat se kishit prirje për aktore?

Në moshën 12-vjeçare, falë aktrimeve në shkollë. Fati e deshi që t‘i bija në sy dikujt dhe më pas fillova të pozoja si modele për katalogët e rrobave për fëmijë. Kam pasur aprovimin e prindërve të mi, pasi gjithmonë më nxisnin të bëhesha aktore. Arrita të fitoja akademinë dhe të kaloja njëri pas tjetrit provimet. Familja ime nuk ishte shumë e pasur, por nuk më ka munguar edukimi. Më pëlqen paga që marr tani.

Roli i balerinës në filmin "Sin City" ka nxjerrë në pah të gjithë bukurinë tuaj. Mos vallë ishte një zgjedhje profesionale e llogaritur?

Le të themi se do të kisha pranuar çdo lloj roli në një film të drejtuar nga regjisori Robert Rodriguez, edhe ai amerikan, me origjinë meksikane. Nuk e mohoj se kam ndjerë një ankth të madh kur kam xhiruar skenat e vallëzimit me kapele kauboj, me reçipeta dhe bikini. Një vajzë e mirë katolike si unë, që luan rolin e një kërcimtareje? Nuk di ç‘të them. Më pas pashë në televizor një video të Beyonce, ku kërcen dhe lëviz në mënyrë provokuese dhe thashë me vete: nëse një vajzë si Beyonce bën këto lëvizje, atëherë as mua nuk më mungon gjë. Të aktrosh do të thotë edhe të mposhtësh komplekset e tua.

Bukuria ju ka ndihmuar në kinema?

Më ka ndihmuar të njihem, do të gënjeja nëse do të thosha të kundërtën. Gjithsesi, është talenti ai që në fund të ndriçon rrugën dhe të çon përpara.

Si po e përballoni faktin e të qenit nënë?

Si gjënë më natyrale në botë. Vij nga një familje me shumë fëmijë. Kam tre vëllezër dhe një motër, gjithashtu dhe shumë kushërinj. Gjithmonë rrinim bashkë. Në shtëpinë time kishte vetëm zhurmë: që të kërkoje diçka duhej medoemos të bërtisje. Gjithë ditën kërcenim e këndonim. Kështu mendoj se kam një farë eksperience. Shpirtin e një familjeje të bashkuar e kam në gjak, pak a shumë si një instinkt nëne. Nuk pretendoj të jem mikja më e mirë e vajzës sime, thjesht dua të jem nëna e saj. Uroj që edhe Marie të flasë me mua për çdo problem të sajin. Dua të ndjek shembullin e nënës sime ashtu, siç bënte ajo me mua.

Sipas mediave aktuale, nuk mendoni se jeni bërë shumë shpejt nënë?

Jo, për mua është mosha perfekte. Nëna ime ishte 19 vjeçe kur linda unë. Mes 19 dhe 27 ka shumë diferencë. Veç të tjerash, të qenit nënë më emocionin jashtëzakonisht.

Si e mbushni kohën e lirë?

Duke soditur natyrën e duke gatuar, sidomos receta meksikane. Ëndrra ime është të hap një restorant me kuzhinë fshati, por të rafinuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›