E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas operacionit, do të martohemi!

Tendenca e re që vjen nga Shtetet e Bashkuara quhet “wedding surgery” dhe po bëhet popullore edhe në Europë. Një kirurg plastik shpjegon se cilat janë operacionet më të kërkuara mes çifteve para se të thonë përgjithmonë “Po!”

Të gjithë vajzat dhe djemtë do të dëshironin që ditën e dasmës të ishin në formën e tyre më të mirë dhe të shkëlqenin më shumë se kurrë. Kështu ndodh me shumë çifte, të cilat pasi bëjnë një marrëveshje, vendosin t’i nënshtrohen një ndërhyrje të kirurgjisë plastike. Kjo është një tendencë që ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e quajtur “wedding surgery” dhe është shtrirë gjithashtu edhe në kontinentin tonë. Listës së gjatë të gjërave para se çifti të thotë po, i është shtuar edhe ndërhyrja e kirurgjisë plastike. Mesa duket nuk mjaftonte vetëm fustani i nuses dhe kostumi i dhëndrit vendi ku do të zhvillohej ceremonia, lulet, trukimi, të ftuarit etj. Tani duhej edhe kjo! Por për të kuptuar më mirë se cilat janë operacionet më të kërkuara nga nusja dhe dhëndri, specialistët u janë përgjigjur disa pyetjeve. Sipas tyre, ndërhyrja më e kërkuar për femrat mbetet heqja e dhjamit dhe ngritja e gjoksit, ndërsa meshkujt pëlqejnë të rregullojnë hundën, veshët dhe të bëjnë ndonjë dozë botoks për të “fshirë” shenjat e stresit, me qëllim që në ditën e madhe të jenë në formën më të bukur se kurrë.

Pse të rinjtë vendosin t’i nënshtrohen një ndërhyrje të kirurgjisë estetike para se të martohen? Sipas specialistëve, për të kuptuar këtë gjë duhet të bëjmë një analizë më të gjerë. Kirurgjia plastike ka një ndikim të fortë te njerëzit, por sidomos te të rinjtë me moshë nga 24 vjeç e lart. Një fazë ku shumë djem e vajza i afrohen shtimit në peshë, ose obezitetit. Martesa është shndërruar në momentin ideal për t’iu nënshtruar një ndërhyrje të kirurgjisë estetike, për të cilin vajza dhe dhëndri po mendonin prej kohësh. Me pak fjalë përfitojnë nga ky moment për të kënaqur një dëshirë që mund ta ëndërronin prej kohësh.

Cilat janë operacionet më të kërkuara nga femrat dhe meshkujt?

Variojnë sipas fytyrës dhe moshës së nuses e dhëndrit. Ata që martohen për herë të parë, zakonisht kërkojnë operacione që preferohen nga të rinjtë 20-vjeçarë e lart. Siç u theksua edhe më lart, femrat janë të pasionuara pas operacioneve të heqjes së dhjamit dhe ngritjes së gjoksit, ndërsa meshkujt botoks, rregullim hunde e veshësh. Personat që martohen për herë të dytë ose të tretë janë rreth moshës 40-vjeçare, pra në këtë rast femrat dhe meshkujt mund të jenë me fëmijë, e si pasojë kanë një trup jo shumë të bukur e me më pak muskuj. Si femrat ashtu edhe meshkujt kërkojnë të eliminojnë dhjamin e tepërt, të tërheqin lëkurën, të tonifikojnë muskujt e barkut, që me kalimin e kohës e kanë humbur elasticitetin e tyre.

Sa kohë përpara përgjigjes do duhet të parashikohet operacioni?

Nëse partnerët dëshirojnë të rrinë rehat duhet ta programojnë ndërhyrjen tre muaj përpara martesës. është e rëndësishme të mendohet për kohën, sepse periudha pas operacionit duhet të jetë relativisht e gjatë, me qëllim që të zhduken të gjitha shenjat në trup dhe fytyrë.

A rrezikon çifti të futet në krizë duke iu nënshtruar një ndërhyrje të kirurgjisë plastike pak para martesës?

Jo, sepse kirurgjia estetike nuk mund të përmbysë asgjë. Nëse një burrë dashurohet pas një gruaje që e ka gjoksin e vogël, mund të gëzohet nëse ajo i dhuron një numër më shumë. Pastaj në jetë ka gjëra shumë të rëndësishme, por këto zgjedhje nuk rrezikojnë të prishin ekuilibrin e çiftit, sepse motivohen mbi bazën e vendimeve ekskluzivisht personale. Zakonisht personat që i nënshtrohen një prej këtyre ndërhyrjeve, e bëjnë sepse kur shihen në pasqyrë nuk u pëlqen vetja.

A konsultohet çifti me njëri-tjetrin?

Po kjo gjë ndodh në pjesën më të madhe të rasteve. Por ndodh gjithashtu që disa partnerë të tjerë operohen në të njëjtën ditë dhe ndajnë të njëjtën dhomë. Kjo gjë është mjaft e shpeshtë, sidomos te të rinjtë që bëjnë ndërhyrje të shpejta.

Sa kushton një operacion paramartesor?

Kostoja varion sipas operacionit, aftësisë së kirurgut dhe cilësisë së ndërhyrjes. Zakonisht plastika e gjirit shkon nga 7 deri në 9 mijë euro. Nëse kushton më pak pacientja duhet të fillojë të dyshojë për cilësinë dhe arritjen e ndërhyrjes, sepse një operacion i bërë mirë duhet të rrotullohet rreth shifrës së lartpërmendur.

Dita e dasmës kurorëzohet edhe nga nata e parë e martesës. A ndodh që femrat kërkojnë operacion plastik për të rikthyer virgjërinë?

Jo, edhe pse rikthimi i saj në kohë është një vlerë, bëhet fjalë për një ndërhyrje shumë të rrallë, që zakonisht nuk kërkohet nga pacientet, por që edhe kirurgët nuk e praktikojnë, sepse mendojnë se nuk është një ndërhyrje logjike. Për sa i përket fushës seksuale, kirurgëve u ka ndodhur të bëjnë operacione të ndryshme në lidhje me “riparimin” e vaginës, një situatë anatomike që mund të krijojë shumë shqetësime për një grua.

Tashmë stina e verës është shumë pranë. Cili është operacioni më i kërkuar nga femrat?

Natyrisht që gjoksi. Ka ende femra që janë të pakënaqura me pamjen e tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›