Truket e vjetra të gjeneralëve të rinj koreanoveriorë
Mbase nuk është befasi se liderët e Koresë Veriore pohojnë se ata po lëshojnë një satelit “paqësor”. Megjithatë, asnjë shtet, posaçërisht në rajon, ku raketat e Koresë Veriore paraqesin kërcënimin më të madh, e pranon si të vërtetë këtë pohim
Loja me zjarrin duket se është trashëguese në Korenë Veriore. Me pasardhësin e ri të të ndjerit Kim Jong-Il – të birin e tij të tretë, të quajtur “Gjenerali i ri” – kërcënimet dhe rreziqet ende janë pjesa përbërëse e diplomacisë së mbretërisë së izoluar. Me paralajmërimin e Koresë Veriore për planet për shfrytëzimin e një rakete “Unha-3” për ta lansuar satelitin “Bright Star-3” në orbitën e tokës nga mesi i prillit, kërcënimi më i ri që vjen prej këtij shteti është vazhdim i të vjetrit. Në të vërtetë, ai sinjalizon një zmbrapsje të shpejtë nga marrëveshja e arritur me SHBA-në vetëm disa javë më parë. Vendimi për lansimin e satelitit, gjë që ishte planifikuar nga Kim Jong-il, ka qëllim të qartë që të ofrojë një arritje “heroike” për liderin e ri, të cilit i mungon çfarëdo përvoje ushtarake. Regjimi synon që ta rrisë prestigjin ndërkombëtar të Koresë Veriore dhe moralin e brendshëm në të njëjtën kohë, derisa popullsia thuhet se mezi pret që ta mbështesë këtë shfaqje të fuqisë teknologjike dhe ushtarake të shtetit. Po ashtu, mbase nuk është befasi se liderët e Koresë Veriore pohojnë se ata po lansojnë një satelit “paqësor”. Megjithatë, asnjë shtet, posaçërisht në rajon, ku raketat e Koresë Veriore paraqesin kërcënimin më të madh, e pranon si të vërtetë këtë pohim. Është e qartë se raketa që do të lansohet paraqet një raketë ballistike me rreze të gjatë veprimi, e cila do të ishte në gjendje të godiste caqe në Guam, vendin e një baze të rëndësishme ushtarake amerikane. Aq skeptike është bota rreth pohimeve të Koresë Veriore për synime paqësore, saqë përveç OKB-së, Koresë Jugore, SHBA-së, Japonisë dhe Bashkimit Evropian, shqetësim kanë shprehur edhe Kina dhe Rusia – mbase të vetmet dy shtete në botë që nuk i kanë punët edhe aq keq me regjimin e Kimit.
Me gjithë kërkesën pothuajse të njëzëshme të bashkësisë ndërkombëtare për t’u treguar e përmbajtur, Koreja Veriore ka pak gjasa që të zmbrapsë planet e veta të lansimit. Ndërprerja e testeve të tilla raketore thjesht nuk është opsion për një regjim, i cili pretendimet e veta për legjitimitet i mbështet vetëm tek kërcënimi ushtarak që paraqet për të tjerët. Ashtu si edhe ndodh me provokimet e Koresë Veriore, lajmi për lansimin e ri është bërë pikërisht në kohën kur regjimi ka nevojë për ushqim dhe fonde nga bota, për ta penguar vdekjen e njerëzve nga uria në këtë shtet. Për më tepër, 2012-ta është një vit i veçantë për Korenë Veriore, duke filluar me 70-vjetorin e lindjes së Kim Jong-ilit, më 16 shkurt. Ai solemnitet do të pasohet nga 100-vjetori i lindjes së Kim Il-sungut më 15 prill dhe 80-vjetori i krijimit të Armatës Popullore, më 25 prill. Njerëzit që po vuajnë urie nuk po ftohen në kryeqytet për paradat ekstravagante, për të cilat bëhen shpenzime marramendëse. Duket se lansimi i raketës do të duhej të mjaftonte për ta. Regjimi përdor ushqimin si njësi shkëmbimi të fuqisë së vet të brendshme dhe politikës së jashtme. Në shenjë nderimi për ditëlindjen e Kim Jong-ilit në shkurt, një kilogram peshk iu ofrua banorëve në një lagje, mirëpo asgjë tjetër. Në të njëjtën kohë, regjimi kërkoi 240.000 tonë ushqim në negociatat e fundit me SHBA-në dhe Korenë Jugore, ndonëse Veriu u detyrua të kthehej tek 30.000 tonët e orizit nga pakoja e mëparshme e ushqimit, në suaza të marrëveshjes me SHBA-në. Në të vërtetë, Veriu i shfrytëzon pothuajse të gjitha mundësitë diplomatike për të kërkuar ushqim. Për Kim Jong-unin madje edhe takimi me zyrtarët japonezë në Ulan Bator, kryeqytetin e Mongolisë, për ta diskutuar kthimin e grave japoneze që kishin shkuar në Korenë Veriore me bashkëshortët e tyre koreanë, kishte shërbyer si platformë për të siguruar ndihma në ushqim prej Japonisë. Negociatat pritej të zhvilloheshin midis Song Il-ho, ambasadorit të Koresë Veriore për normalizimin e raporteve me Japoninë dhe Hiroshi Nakait, ish-ministrit që negocion zyrtarisht për lirimin e qytetarëve japonezë, të rrëmbyer nga Veriu. Mirëpo Nakai nuk pati mundësi të largohej nga Tokio dhe një profesor universitar e zëvendësoi si negociator japonez. Koreja Veriore, që i merr parasysh rangjet, zakonisht do ta dërgonte një zyrtar shumë më të ulët sesa Song, pasi që ishte zëvendësuar homologu i tij. Por asnjë ndryshim nuk u bë, për shkak se Veriu kishte nevojë të madhe për ushqim. Koreja Veriore pastaj i kërkoi Japonisë ndihma ekonomike dhe furnizim me ushqim, në shkëmbim jo vetëm të kthimit të bashkëshorteve japoneze, mirëpo edhe shtatë japonezëve, që dihet se janë rrëmbyer nga Veriu. Ndihma japoneze, ashtu si paratë që i paguhen një rrëmbyesi, duhet të dorëzohen më 15 prill, pikërisht në kohën e përvjetorit të lindjes së Kim Il-songut – një indikacion ky i qartë i synimeve të njëmendta të Koresë Veriore, si dhe dëshpërimit.
E tani, duke e pasur parasysh koston potenciale të prishjes së marrëveshjes me SHBA-në, vendimi për lansimin e raketës me rreze të gjatë veprimi e shpie një hap më larg dëshpërimin e Koresë Veriore. Në të vërtetë, ka njerëz që thonë se lansimi synon t’ia demonstrojë Iranit kapacitetet raketore të Veriut, ashtu që Republika Islame të bëhet kliente e shitjeve të paligjshme të raketave dhe teknologjisë bërthamore. Kështu, drama verikoreane, në të cilën tani rolin kryesor e ka Kim Jong-un, po vazhdon, duke shfrytëzuar krizat ndërkombëtare për financimin e kiçit spektakular dhe represionit brutal brenda kufijve. Tani duhet që Kina, regjisorja e njëmendtë e produksionit verikorean, t’i japë fund kësaj shfaqjeje.
Autorja është ish-ministre japoneze e Mbrojtjes dhe këshilltare për Siguri Nacionale. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate”