Transfertat në bankën private, arkëtarja vjedh 125 milionë lekë
Artan CENA
LUSHNJË - Zbulohet një vjedhje miliona lekë në një prej bankave private në Lushnjë. Falë operacionit policor të koduar "Transferta e fundit", punonjësja e një banke është arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohet se ka grabitur 125 milionë lekë të vjetër. Policia e Lushnjës ka bërë të ditur se Ornela Tabaku, me profesion financiere, është prangosur mbrëmjen e dy ditëve më parë në banesën e saj në Lushnjë, pasi dyshohet se ka grabitur me anë të mashtrimit shuma të mëdha parash në bankën private ku punonte. Të njëjtat burime thanë se bëhet fjalë për shifrën 125 milionë lekë të vjetër që Tabaku dyshohet se ia ka grabitur bankës. Tabaku kishte arritur të grabiste shumën marramendëse nga banka ku punonte duke tërhequr çdo muaj disa milionë lekë nga subjekte shtetërore e private dhe duke i kaluar në llogarinë e saj bankare me plot 12.5 milionë lekë të rinj.
Hetimi
Fillimisht ishte dyshimi i eprorëve dhe më pas hetimet e policisë ato që zbuluan vjedhjen. Gjatë operacionit policia sekuestroi shumën e mësipërme në cilësinë e provës materiale. Mbi Tabakun tani rëndon vepra penale e “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit”. Para se të niste operacioni "Transferta e fundit", policia, në bashkëpunim me bankën private kanë arritur të dokumentojnë faktin se shtetasja në fjalë duke shfrytëzuar detyrën e arkëtares pranë bankës ka vjedhur në mënyrë të përsëritur shuma të konsiderueshme lekësh.
Rastet
Vjedhja e parë daton më 30 janar të këtij viti, kur financierja ka tërhequr në dy raste nga llogaria e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Fier shumën prej 4 milionë lekësh, të cilën e ka arkëtuar në datën 1 shkurt. Në datën 30 prill të këtij viti, Tabaku ka tërhequr nga llogaria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Lushnjë shumën prej 3.1 milionë lekësh, të cilën e ka arkëtuar më 3 maj të këtij viti. Po në datën 31 maj, Ornela Tabaku ka bërë një tjetër tërheqje prej 1 milion lekësh nga llogaria e fruta-perimeve Lushnjë. Në datën 4 qershor, nga kontrolli i gjithë veprimeve bankare të kryera nga kjo punonjëse, rezulton se veç shumave të mësipërme ajo ka tërhequr nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor Fier shumën prej 12.5 milionë lekësh, ku për këtë shumë nuk ka prerë as mandat pagese duke i përvetësuar për vete”. Por mekanizmi i vjedhjes nuk përfundon këtu. Sikur të mos mjaftonin llogaritë e institucioneve shtetërore, Tabaku ka ndërhyrë dhe në llogaritë private të klientëve ku nga një qytetar me inicialet L. N. ka tërhequr shumën prej 5000 eurosh. Sipas policisë, shuma totale e përfituar arrin në 12.5 milionë lekë të rinj.
7 Qershor 2010