E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaporta, shpejt për emigrantët e të sëmurët

TIRANE - Pasaportat në policinë e kryeqytetit do të lëshohen në kohë rekord për emigrantët dhe për personat e sëmurë që kërkojnë të udhëtojnë jashtë vendit. 

 Seksioni i pasaportave, brenda 7 ditëve, nga aplikimi i një personi për pasaportë duhet të ketë prodhuar dokumentin e udhëtimit, ndërsa për raste emergjente dhe persona të sëmurë, prodhimi i saj mund të bëhet për tri ditë. Sportelet e pranimit dhe të tërheqjes së dokumenteve përkatëse janë urdhëruar të punojnë me orare të zgjatura për të përballuar ngarkesën. Masat e marra nga policia e Tiranës, gjatë sezonit të pushimeve verore që përkon edhe me mbërritjen e emigrantëve në vendlindje, u lajmëruan nga zëdhënësja e policisë së Tiranës dje në mesditë. Alma Katragjini, pohoi se masat e marra kanë qëllim normalizimin e fluksit të personave që duan të pajisen me pasaportë gjatë kësaj periudhe, ku ngarkesa rritet për shkak të ardhjes së emigrantëve. Në rastin kur kërkuesi për pasaportë është i sëmurë sipas zëdhënëses ai duhet të paraqesë epikrizën e sëmundjes së lëshuar nga mjekët. Vetëm gjatë ditës së premte, policia e kryeqytetit ka prodhuar rreth 250 pasaporta të personave të ndryshëm që kishin kërkuar të pajiseshin me të. Ndërkaq të prodhuara pranë sporteleve përkatëse dhe të patërhequra janë më tepër se 70 copë të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›