E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve, zbardhet skema

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur të zbardhë tërësisht një episod të trafikut të pistoletave nga Holanda në Shqipëri nëpërmjet kutive postare. 

Trazhgim Sokolaj

 Hetimet për këtë rast kanë përfunduar ndërsa dosja, e cila përmban provat për fajësinë e autorit të dyshuar Agim Shëngjoni, janë dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, i pandehuri Agim Shëngjoni prej vitesh ka qenë emigrant ekonomik në disa shtete evropiane, fillimisht ai ka shkuar në Itali, më pas në Gjermani, Belgjikë dhe së fundi, prej një viti jetonte në Holandë. Gjatë qëndrimit në shtete të ndryshme të Evropës, i dyshuari nuk ishte i pajisur me leje qëndrimi dhe ka përdorur emra të rremë. Duke përdorur identitete të tilla, ai disa herë ka nisur pako në rrugë postare në adresë të familjarëve të tij në qytetin e Elbasanit. Më 14 prill 2008, sipas Prokurorisë, pasi kishte blerë në tregun ilegal tri pistoleta, përkatësisht dy të tipit "Browing" dhe një të tipit "Colt", si dhe një sasi prej 341 fishekësh, duke përdorur emrin e rremë Artur Deja, i ka paketuar ato duke i futur në një kuti kartoni bashkë me disa rroba, një kompjuter "Lap-top" dhe një thikë. Më pas ai ka shkuar në një nga pikat postare në qytetin e Amersforit-Holandë dhe i ka postuar, me adresë dërguesi Artur Deja, qyteti i Amersforit-Holandë dhe adresë-pritësi, Agim Shëngjoni, lagja "Kala", rruga "Kostandin Kristoforidhi", nr. 55, Elbasan. Policia ka marrë sinjale për pakon e dyshimtë duke bërë një dorëzim të kontrolluar të saj në formë kurthi për kapjen e autorit. 
Pritja e pistoletave
Sipas hetimeve të Prokurorisë, vetë personi që i ka nisur pistoletat nga Holanda ka mbërritur në Shqipëri për të marrë pakon që kishte nisur, duke përdorur emrin e rremë Artur Deja. "Ai ka udhëtuar me makinën e tij dhe ka arritur në qytetin e Elbasanit më 16 prill 2008 vetëm dy ditë pasi kishte nisur drejt këtij qyteti, nga Holanda, pakon me tri pistoletat dhe municionet e tyre përkatëse. Mbërritja e të akuzuarit në Elbasan, sipas Prokurorisë është bërë që ai vetë të tërhiqte pakon që pritej të mbërrinte përmes postës. Më 17 prill 2008, rreth orës 10:00, E.H., kontrollore në zyrën doganore të Tiranës, gjatë kontrollit në skaner të mallrave që vijnë në rrugë postare, në një nga pakot që ka kontrolluar ka konstatuar se ndodheshin sende të dyshimta. Menjëherë pas këtij konstatimi, është lajmëruar posta dhe shërbimet e policisë për të vazhduar veprimet e mëtejshme. Pas lajmërimit të policisë dhe Prokurorisë është vendosur që pakoja të mos ndalohej por të vazhdonte "rrugën" e saj në drejtim të pritësit të saj në mënyrë të kontrolluar nga agjentët e rendit. "Si rezultat i veprimeve hetimore, atë ditë, policia ka arritur të arrestojë në flagrancë pritësin e pakos me pistoleta, Agim Shëngjoni, i cili duke përdorur emrin e rremë Artur Deja, i kishte nisur ato nga Holanda për në Elbasan. Arrestimi është bërë në zyrat postare të qytetit të Elbasanit pak çaste pasi pritësi kishte shkuar po tërhiqte pakon që mbante brenda saj tri armët e zjarrit. Duke iu referuar këtij episodi si dhe provave e deklarimeve të siguruara, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për "trafik armësh dhe municionesh" ndaj Agim Shëngjonit, duke e dërguar atë për gjykim me këtë akuzë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›