E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrel, 2 mijë banorë pa lidhje telefoni



SHKODER - Sikur të mos mjaftonte stina e dimri me dëborë dhe ngrica, një pjesë e komunës së Shkrelit bllokohet edhe në komunikimin telefonik. Janë rreth 2 mijë banorë të fshatrave Bogë, Xhaj, Bzhetë, Razmë, etj., që nuk mund të komunikojnë me pjesën tjetër të vendit, qoftë edhe me të afërmit në fshatrat fare pranë tyre. Prej disa javësh Lugina e Shkrelit, e cila ndodhet rreth 30 km larg nga qyteti i Shkodrës, e ka të pamundur që të realizojë komunikimin telefonik. Shkak për këtë është bërë dëmtimi dhe nxjerrja jashtë funksioni i antenave të telefonive private mobile, ndërkohë që për sinjal të telefonisë fikse as që bëhet fjalë. Dy mijë banorët e Luginës së Shkrelit, siç njihet ndryshe kjo zonë, ndihen në vështirësi, aq më shumë që mundësitë e lidhjes me pjesën tjetër të Malësisë së Madhe dhe më tej bëhen akoma të më mëdha. Zonat që nuk kanë lidhje telefonike janë zonat të thella malore, të cilat gjatë dimrit izolohen nga bora dhe bllokimi i rrugëve, por tashmë ata po izolohen edhe nga komunikimi me celularë. Një përfaqësi e banorëve ka kërkuar që Komuna e Shkrelit të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj situate. Nga ana e tij, kryekomunari Fred Sterkaj shprehet se, ka filluar bisedimet me kompanitë e telefonisë së lëvizshme. Por sipas tij, vështirësia qëndron në faktin se këto kompani janë private dhe investimet e tyre i mbështesin në fitimet që mund të marrin. Numri i vogël i popullsisë në këto zona, si dhe terreni tejet i thyer bëjnë që edhe kompanitë private të hezitojnë të kryejnë investime në ndërtimin e antenave, që përforcojnë sinjalin në këto zona. Banorët shprehen se për aq kohë sa ishte fushata elektorale, atyre iu mundësua edhe lidhja telefonike. Ata duhet të bëjnë rreth 20 km rrugë për të shkuar deri në qendër të Komunës, në Dedaj, për të folur në telefon me njerëzit e tyre, ose për ndonjë shqetësim që kanë. Shumica e banorëve këtë rrugë duhet ta bëjë në këmbë, për shkak të bllokimit të tyre nga bora për më shumë se 6 muaj. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›