Garantimi i depozitave, pezull fati i parave te depozituara ne unione kursim-krediti

Tiranë, 25 mars 13:08 NOA – Komisioni Parlamentar i Ekonomisë u shpreh pro draftit ligjor të hartuar nga qeveria, për rritjen e shumës së garancisë bankare për depozitat e qytetarëve.
Projektligji rrit nivelin e sigurimit te depozitave bankare nga shuma prej 700 mijë lekë deri në 2.5 milionë lekë.
Deputetet në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, që u deklaruan pro variantit të plotë të qeverisë, ishin ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj dhe deputeti demokrat Bujar Leskaj.
Nga pala referuese për miratimin e këtij projektligji ishte Kryetari i Shoqatës së Bankave, dr. Libero Catalano, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Italiane të Zhvillimit – Gruppo Veneto Banca.
Në këtë mënyrë, të gjithë ata që kanë kursime në bankat shqiptare tashmë kanë një siguri më shumë për paratë e tyre.
Kjo pasi në rast falimenti të bankës çdo klient kompensohet në masën 2.5 milionë lekë. Sipas draftit, kjo shumë është e vlefshme edhe për depozitat në valutë.
Qeveria thotë se me këtë ligj garantohen 96 për qind e kursimeve.
Për ata që kanë në llogari mbi 2.5 milionë lekë, sugjerohet që pjesën mbi këtë shumë ta mbyllin në emër të të afërmve.
Kjo mënyrë do t’i shpëtonte ata nga humbja e parave.
Por në ligjin e garantimit të depozitave përfshihen vetëm bankat, ndërkohë që në Shqipëri operojnë edhe Unione Kursim- krediti, të cilat marrin depozita të shqiptarëve.
Në këtë pikë deputeti Arben Malaj kërkoi që edhe këto institucione të përfshihen në skemën e sigurimit.
Por drejtues të Bankës Qendrore u shprehën se këto unione do të përfshihen në një ligj të mëvonshëm, pasi kanë nevojë të rishikohet i gjithë kuadri ligjor i funksionimit të tyre.
Ligji aktual siguron depozitat deri në masën 700 mijë lekë. Rritja e këtij kufiri pritet të ndikojë në shtimin e kursimeve nga qytetarët.
e.c/r.l/NOA