E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat, fitues “Sagem”

• Firma franceze "Sagem Securite" është kompania që do të realizojë procesin e prodhimit të letërnjoftimeve elektronike dhe të pasaportave biometrike në Shqipëri.

BLEDAR HOTI

Firma fituese u shpall dje nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka bërë të ditur në të njëjtën kohë se për shkak të mungesës së dokumentacionit minimal janë skualifikuar tre prej shtatë ofertuesve. Eshtë skualifikuar oferta nga "Consorzio R.I.E", oferta nga kompania NADRA dhe oferta e ardhur nga "Oberthur" dhe AKD. "Sipas vlerësimeve të elementëve të përcaktuar, komisioni për ofertat e paraqitura ka vlerësuar me këtë sistem pikësh. "Sagem Securite" dhe FSHAN me 93.15 pikë, "Zetes Industries" dhe "Gemalto" me 76.54 pikë, "Indra Sistemas S.A" me 76.41 pikë, "Bundesdruckerei" me 74.32 pikë", deklaroi ministri Nishani. "Sagem" së bashku me FSHAN (Fondi Shqiptar-Amerikan i Ndërmarrjeve) janë kualifikuar me më shumë pikë se firmat e tjera, duke qenë pretendentja kryesore për prodhimin e letërnjoftimeve të reja dhe pasaportave biometrike. Sipas Nishanit, shqyrtimi i tyre ka konsistuar në vlerësimin e dokumentacionit ligjor sipas kërkesave të ligjit shqiptar, në vlerësimin e nivelit teknik të standardit, në vlerësimin e ofertës ekonomike, në vlerësimin e kohës për prodhimin dhe shpërndarjen e këtyre dokumenteve. Në përfundim komisioni i vlerësimit të ofertave me unanimitet ka bërë edhe vlerësimin. "Sagem dhe FSHAN ka ofruar çmimet më të ulëta nga katër kompanitë e klasifikuara, për prodhimin e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike dhe me konkretisht "Sagem Securite" ka ofruar 1167 lekë për Letërnjoftimin, dhe 5000 lekë për Pasaportën. Ndërsa kompanitë e tjera kanë paraqitur këto oferta "Zetes Industries": Letërnjoftimi 2950 lekë, Pasaporta 6800 lekë "Indra Sistemas" Letërnjoftimi 3216 lekë, Pasaporta 9535.7 lekë "Bundesdruckerei"  Letërnjoftimi 1869.8 lekë, Pasaporta 11343.2 lekë", deklaroi ministri. Ndërsa theksohet bëhet e ditur se të gjitha kompanive ofertuese në këtë tender do t'iu lihet 7 ditë kohë për të paraqitur ankesat e tyre dhe në rast të kundërt kompania "Sazhem" dhe "FSHAN" oferta e të cilave ka marrë më shumë pikë do të nisin punën për prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike. Ky proces i prodhimit të kartave të identitetit elektronik dhe pasaportave biometrike synohet të përfundojë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Për realizimin e këtij procesi Ministria e Brendshme shpalli tenderin ndërkombëtar, duke e botuar dhe në gazetat ndërkombëtare ftesën për ofertë, siç ishte njoftimi në gazetën "Herald Tribune", më tetë nëntor të vitit të kaluar. Ndërsa për një proces të tillë ka pasur dhe përplasje mes pozitës dhe opozitës, ku të majtët kanë ngritur dyshimet e tyre në lidhje me procesin që po realizohej.

vendimi

Pikët e fituara

• Sagem Securite dhe FSHAN me 93.15 pikë,
• Zetes Industries dhe Gemalto me 76.54 pikë,
• Indra Sistemas S.A me 76.41 pikë,
• Bundesdruckerei me 74.32 pikë

Çmimet e ofruara

1-    "Sagem Securite" Letërnjoftimi 1167 lekë, Pasaporta 5000 lekë

2-    "Zetes Industries" Letërnjoftimi 2950 lekë, Pasaporta 6800 lekë

3-    "Indra Sistemas" Letërnjoftimi 3216 lekë, Pasaporta 9535.7 lekë

4-    "Bundesdruckerei" Letërnjoftimi 1869.8 lekë, Pasaporta 11343.2 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›