E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat, kosovarët mund të bëhen shqiptarë

Në korrik të këtij viti, shtetasit e Kosovës do të pajisen me pasaportat e tyre dhe dokumente të tjera personale, pas nëntë vitesh që përdorin ato të UNMIK-ut.

Sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, dokumentet do të kenë standardet më të larta të sigurisë në rajon dhe janë të rekomanduara nga Komisioni Evropian. Në një intervistë për BBC, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se dokumentet personale janë në përgatitje e sipër të prodhimit dhe dizenjimit të tyre. Ministri Pajaziti tha se ligji parashikon që dokumentet personale të mundësojnë identifikimin e personave, shtetësinë e tyre dhe gjithë informatat e nevojshme për ta. Por, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë që, sipas Kushtetutës së Kosovës, të marrin dyshtetësi. Sipas ministrit Pajaziti, nga kjo mund të përfitojnë të gjithë qytetarët që janë shtetas të Kosovës, dhe kanë mundësi të kenë edhe një shtetësi tjetër. “Nëse një qytetar dëshiron që përveç një pasaporte vendore ta ketë edhe një pasaportë, p.sh. nga Shqipëria, nëse mund të marrin shtetësinë nga Shqipëria, mund ta kenë atë, po ashtu edhe qytetarët e tjerë nga ndonjë vend tjetër”. Sa për të huajt që mund të dëshirojnë pasaportë kosovare, ende nuk është përmbyllur çështja e legjislacionit që parasheh kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit e huaj për të fituar pasaportën e Kosovës.
Elemente
Elementet që do ta karakterizojnë sigurinë e pasaportës së Kosovës, do të jenë po ato në dokumentin e udhëtimit të UNMIK-ut, duke u shtuar edhe disa elemente, të cilat janë rekomanduar nga ekspertë të Komisionit Evropian. “Pamja e faqes ku është fotografia me të dhënat e personit, në anën tjetër do të jenë të fshehura të gjitha shënimet dhe fotografia. Eshtë një prej elementeve të sigurisë, të cilat nuk i kemi pasur në dokumentin e udhëtimit të UNMIK-ut. Si shenja të tjera të fshehura do të jenë në faqe të tjera edhe nuancat e ngjyrave të ylberit”, tha ministri Pajaziti. Vlefshmëria e pasaportës do të jetë 10 vjet. Deri tani janë angazhuar dy kompani, një gjermane dhe një franceze për prodhimin e pasaportave të Kosovës. Pasaporta e Republikës së Kosovës do të ketë ngjyrat e flamurit evropian, por dhe simbolet e Kosovës të miratuara nga Parlamenti i Kosovës. “I gjithë procesi i prodhimit të dokumenteve personale do të kushtojë rreth 1 milion e 800 mijë euro”, tha ministri Pajaziti. Deri në ditën e daljes së pasaportës së Kosovës, qytetarët e saj do të mund të vazhdojnë të përdorin dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut. Qytetarët e Kosovës, që nga viti 1999, kanë përdorur dokumentet e udhëtimit të ish-federatës jugosllave dhe ato të lëshuara nga Misioni i OKB-së. Serbët e Kosovës, edhe sot vazhdojnë të përdorin kryesisht pasaportat serbe, ndërsa nuk është i vogël numri i shqiptarëve që vazhdojnë t’i përdorin këto pasaporta. Pasaportat e Kosovës për momentin do të njihen nga rreth 40 shtete të botës, sa e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri tani.\

nato
Forcat e NATO-s kanë nisur në pjesën veriore të Kosovës, manovrat ushtarake për të treguar gatishmërinë për intervenime të shpejta. Ky operacion shfaq aftësinë për të intervenuar kudo që është e nevojshme. Ushtrimet po zhvillohen në fshatra shqiptare, të cilat janë të rrethuara nga ato serbe.

Solana
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana, ka vlerësuar se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Serbinë në aspektin statusor është neutrale, kur bëhet fjalë për Kosovën. Solana tha se marrëveshja me Beogradin nuk i përket Kosovës, e cila gjendet nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›