Vdes në aksident lypësi 13 vjeç
30/04/2005 TIRANË-Aksidentohet me vdekje lypësi 13 vjeç. Në orët e vona të së enjtes vogëlushi endacak ishte duke lypur pranë "Librit Universitar", në momentin kur Gentian Kallari, 27 vjeç, nga fshati Qerrek i Krujës, ishte duke drejtuar mjetin e tij, të tipit "Renault". Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ka qenë moskontrolli i lëvizjes së vogëlushit, shkaku i aksidentit. I mituri, pas aksidentit u dërgua nga vetë Kallari në Spitalin Ushtarak, në të cilin iu dha ndihma e shpejtë. Plagët që i mituri i paidentifikuar kishte marrë në trup nga përplasja ishin të rënda dhe për këtë arsye ai nuk mundi të mbijetonte. Më pas ai u dërgua në morg. Policia Rrugore që shkoi menjëherë në vendngjarje mundi të vinte nën pranga Kallarin, ndërsa pasi të rishihen edhe një herë rrethanat e ngjarjes, mendohet se ai do të lihet i lirë për shkak se 27-vjeçari nuk ka pasur faj për aksidentin.