Pasioni i Anës

Teksa marr në duar dhe rilexoj poezitë e Anna Ahmatoves (ç’është e vërteta, këtë herë kemi të bëjmë me një botim më të plotë nga tufa me poezi të zgjedhura) të sjella në shqip nga dora mjeshtërore e Aurel Plasarit, ndjej sërish atë aromë të veçantë e të erandshme që kam ndjerë kurdoherë tek ato poezi që m’i ka dashur zemra, pavarësisht nëse poeti ka pasë qenë rus, shqiptar, amerikan, italian a i çfarëdo kombësie qoftë. Rileximi i Ahmatoves ma ripohoi këtë ndjesi të mrekullueshme që të bën të ndjehesh fatlum.
Tri poezitë përkushtuar miqve dhe kolegeve të saj Mandelshtamit, Zoshcenkos dhe Pasternakut (këtij të fundit i kushton një trilogji të vogël), jo vetëm në art, por edhe në fatin e zi që i përndoqi gjithandej në ferrin e zi të diktatures staliniste, madje ndonjërin prej tyre, siç qe puna e Osip Mandelshtamit, e shpuri në vdekje, përbëjnë një triptik që i ka të rrallë shokët në historinë e poezisë botërore për kah ndjeshmeria, çiltërsia dhe të qendisurit të pacen të poezisë. Te “Fajtorja”, autorja ngjan sikur derdh në vargje jeten e vet: “Në bankë t’akuzes e vetmuar/Kam pesëmbëdhjetë vjetë që rri.” Vetëm në këta dy vargje që me lakonizmin e vet ngërthejnë një elokuencë dhe fuqi shprehese të jashtëzakonshme, poetja na ofron të vërtetën e hidhur se, praktikisht, e ka shkuar gjithë jetën e saj e pandehur si kriminele.
Dhe e gjithë kjo histori ka dy aspekte, siç na e kumton po ajo; i pari është krejt absurd: “Një Kafkë mund ta konceptojë”, ndërsa i dyti shfaqet në trajtë groteske: “Dhe mund ta luajë një Sharlot”. Dhe me një kreshendo të dhimbshme e tragjike në thelb, në dy vargjet e fundit të poezisë, poetja shprehet buzeplasur, gati-gati duke klithur: “Athua vallë fajtorë tjetër/Veç meje s’ka mbi këtë dhe?”(…)
Po e mbyll me një tetëvargësh të jashtëzakonshëm që poetja ia kushton gjuhës ruse me gjasë në kohë të vështira si ato të Luftës Patriotike më 1942 kundër nazizmit: “Të biem nën plumb s’kemi frikë, -/ Të mbrojmë në ty, fjalë ruse, me gjak/Ty fjalë madhështore unike.” Kjo poezi është një kontrapunkt i shpirtit të gjerë jo vetëm të poetes, po të krejt popullit rus dhe atyre sovjetike, të cilët, pavarësisht nga vuajtjet e cfilitjet e shkaktuara nga diktatura staliniste në një kohe kur ekzistenca e atdheut u vu në rrezik u ngrit me këmbë si një trup i vetëm për ta mbrojtur me mish e me shpirt. Ahmatova, në frontin e vet, i vuri gjoksin për të mbrojtur gjuhën, thelbin e qenies individuale dhe kolektive. Ma do mendja që poezia e sipërpërmendur është dhe një përgjigje ndaj disa prej jetëshkruesve të saj, si puna e Feinsteinit, kur shtronte pyetjen: A ishte Ahmatova vetëm një poete borgjeze e dashurisë apo kishte edhe nje koshiencë historike? (…)
Dhe dëshiroj t’i mbyll këto radhë se ashtu siç e ceka edhe në krye të këtij shkrimi, Ahmatova na vjen në shqip falë përkthimit të Aurel Plasarit, i cili, rrushtë e vjelë nga vreshta ahmatoviane ka ditur ta përpunojë e ta shndërrojë në verë të dorës së parë, butesh shumëvjeçare, verë që nuk i lë gjë mangut nektarit që veç hyjtë e letrave kanë ëndjen ta shijojnë, ndërkohë që tregu i plebes është i mbushur tejendanë me uthull nga ajo më e lira.