E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është sot studimi historiko-letrar në krizë?

Në pyetje provokuese që, në dëgjim të parë, do të dukej pa vend, sepse dihej që çlirimi i shkencës letrare, në 15 vitet e fundit, nga skematizmi ideologjik, si dhe liria e sotme e krijimit dhe kontaktet me studime bashkëkohore, kanë ndryshuar dukshëm pikëvështrimin dhe interpretimin e letërsisë. Megjithatë, sipas nesh, pikërisht ky realitet i ri i studimeve të sotme, është ende problematik. Pse? Sepse në sfondin e studimeve të kësaj periudhe mund të konstatojmë disa dukuri:
-Fusha më tërheqëse për studiuesit, sidomos ata më të rinjtë, është bërë vetëm analiza semiotike e tekstit, dukuritë narratologjike, vështrimet stilistikore e metrike. Sigurisht kjo është prirja më pozitive në kritikën e sotme, në sfondin e poetikave moderne, të patrajtuara më parë. Por, e parë si qëllim në vetvete, ajo ka mbetur jashtë lidhjes me dukuritë thelbësore të zhvillimit historik të letërsisë sonë, në periudhën ku bën pjesë vepra e analizuar.
-Autorët më tërheqës janë bërë vetëm disa, si Fishta, Koliqi, Konica, Trebeshina. Sigurisht, kjo dukuri përfaqëson një tendencë të natyrshme për interpretimin e autorëve, pak ose aspak të trajtuar nga shkenca letrare e gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Por, në të vërtetë, studiuesit që merren me të njëjtët autorë janë jo një e dy, por disa.
-Ekzagjerime në vlerësim; kompensimi i mostrajtimit të mjaft autorëve nga pozicione ekstremisht vlerësuese. Kompleksi i detyrimit shkencor ndaj tyre përkthehet tashmë në interpretime emocionale, ku ndjehet madje një garë në shkallën e mbivlerësimit të njërit apo tjetrit.
-Një copëzim i ri në studimin e procesit të plotë të zhvillimit të letërsisë sonë, duke lënë jashtë riinterpretimit shkencor vepra dhe autorë, të cilët, vërtetë u bënë objekt i studimeve të mëparshme, por gjithashtu ishin të dhunuar në mënyrën skematike të vështrimit artistik të krijimtarisë së tyre.
-Ka edhe botime, ku pas një terminologjie “bashkëkohore”, nganjëherë tepër të sofistikuar, vijnë amalgamë pohimesh sporadike, të stilit telegrafik, me pasaktësi konceptesh e terminologji teorike-letrare. Sa interesante duken në titujt e tyre, aq konfuzë në synimet shkencore. E vetmja ide e qartë është mohimi i realizmit socialist, por edhe kjo bëhet nga pozita po aq ideore, siç bënte edhe shkenca marksiste kur e mbështeste atë.
Në këtë sfond tepër të përgjithshëm shkenca letrare ndodhet sot, sipas mendimit tonë, para disa sfidave, që duhen prekur e diskutuar në rrethet e specialistëve të studimit letrar. Në plan të parë është çështja e hartimit të “Historisë së letërsisë shqiptare”, si realizimi më kompleks e i vështirë i shkencës sonë.
ǒndodh sot me historinë e letërsisë, jo thjesht në nivele universitare, por në plan të gjerë të kulturës sonë kombëtare? Ky është problemi themelor i trajtimit në këtë studim. Një kompleks çështjesh, në tërësinë e tyre, mund t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Ato, sipas nesh, vlejnë sot, kur vëmendja e studiuesve të letërsisë duhet të ndalet, për të kuptuar sa larg, sa periferikë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi rreth këtij problemi, ndonëse flitet, e flitet kaq shumë vitet e fundit.
Të gjitha dilemat që ka hartimi i “Historisë së letërsisë shqiptare” gjejnë zgjidhje vetëm nëse në sistemin tonë të të menduarit është e qartë skema universale, e cila njeh shkencën e letërsisë të realizuar në tre fusha kërkimi:
1. Fusha teorike, domethënë studimin logjik dhe sintagmatik i letërsisë, i tekstit letrar.
2. Fusha aksiologjike, domethënë kritere të qasjes dhe të vlerësimit kritiko-estetik.
3. Studimi historiografik, domethënë vështrim në planin diakronik, paradigmatik.
Kjo do të thotë se kompleksiteti i problemeve letrare, që studion shkenca e letërsisë, janë objekt i pikëvështrimeve të caktuara, që tashmë janë kristalizuar në disiplina të veçanta (teoria, kritika, dhe historia e letërsisë). Midis tyre, historia e letërsisë, është një nga drejtimet themelore edhe për shkencën letrare shqiptare, që ka një kompleksitet aspektesh, sa teorike, aq dhe historike për të zgjidhur. Prekja e tyre, në këtë studim, hap fushën e debatit të domosdoshëm në historiografinë tonë letrare, për të siguruar kritere, pikëqasje dhe zgjidhje objektive-shkencore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›