E Diel, 1 Nëntor 2026

Vuajtja e përkorë e një fati

1.
Libra me vezullim të zi, lëngata të gjata fëmijësh, dhimbje biblike, baballarë të burgosur nga hallet e vuajtjet e bijve të tyre, prindër të plagosur prej kujtimesh e malli të kalamajve, të sëmurë prej jetës e prej vdekjes njëkohësisht, shkrimtar të pushtuar prej simbolesh e shenjash që u dërgojnë prej realitetit të sëmundjes vogëlushët e tyre m’u kujtuan sot të gjithë bashkë, tek po lexoja librin e Edmond Tupes, “Kur dhimbja premton dashuri”. Kur shkruaja librin “Komshinjtë e vdekjes” pata lexuar me qindra e mijëra faqe që shkrimtarë të mëdhenj, të shpërndarë anë e mbanë botës, kanë shkruar për fëmijët e tyre që lëngonin në shtratin e sëmundjes. Carduçi qan, qan për të birin, ndërsa Tupja është i mbërthyer herë pas here nga një vaj i brendshëm: Giusepe Ungareti me sëmundjen e Antonios nëntëvjeçar e drejton letërsinë e tij drejt një realiteti të hidhur e të zi, nga mistika dhe trandja sidomos me poezitë “Dhimbje” dhe “Mëshirë”. Tupja kërkon një shteg tjetër atë të durimit dhe të dashurisë. Ernesto Sabato në vdekjen e djalit Jorge Federiko, zhytet në lodhjen, pikëllimin dhe vetmimin e tij, duke humbur shijen për jetën dhe kuptimet më bazike të saj. Tupja i rri kundruall jetës, me një plogështim të përkorë, por pa u tërhequr. Izabel Aliende shkruan romanin “Paola” (për bijën e saj të vdekur) me elementë spiritualistë, e mbërthyer prej misticizmit, ndërsa Tupja për birin e tij të sëmurë është i ftohtë, ekzistencial, me një ritëm të ngadaltë, të matur dhe të rëndë njëkohësisht. Vite të tërë iu desh të merrej me Nik Trainën, birin e saj të sëmurë, shkrimtares Daniel Still, që ta nxirrte nga humnerat e sëmundjes ku kishte rënë i biri, nga ai fat i vrazhdë me po atë kujdes që ka lundërtari i vjetër për të hedhur në bregun tjetër udhëtarit më të dashur që ka. Daniel Still nuk ia doli dot mbanë. Edmond Tupja deri tani ia ka dalë, pavarësisht se i gozhduar dhe ai si biri i tij në kryqin e fatit.

2.
Mond Tupen e kam hasur për herë të parë mbi biçikletën e tij thatime, në një prej rrugicave që lidh “Myslym Shyrin” me Rrugën e Kavajës. I dobët dhe i sfilitur prej dijesh dhe librash, pata menduar. Ashtu mbi biçikletën e tij desha të kuptoja se kush ia kishte marrë shpirtin shoqishojt: Mondi biçikletës apo biçikleta Mond Tupes. Çdo gjë tek ai njeri më është dukur se i përket një realiteti tjetër (librat dhe dijet janë realitete hyjnore më shumë se çdo gjë), përveç asaj biçiklete të vjetër e të lodhur që më dukej se e lidhte këtë njeri me këtë tokë ku jemi.
Bash ato ditë pata shkruar në “Koha jonë” një shkrim për çiklistin e famshëm Marko Pantani që u gjet i vdekur prej overdozës në një dhomë të vetmuar të një hoteli në periferi të Milanos. Atë e patën përjashtuar prej garës dhe ia kishin hequr biçikletën, pikërisht atë lidhje që e mbante Pantanin të lidhur me këtë botë. Kështu kam menduar dhe për Mond Tupjen se nëse një ditë nuk do ta ketë atë biçikletë, realiteti i tij do të jetë vetëm eterik, ai lloj realiteti që kanë brenda dijet, librat, gjuhët. Por qenkam gabuar. Ky njeri e paska një arsye më shumë se gjithkush tjetër për të qenë në këtë jetë, në këtë areal hallesh dhe travajesh. Jeta e të birit me një sëmundje të rëndë mbi shpatulla qenka arsyeja e madhe që e mbajtka këtu… edhe pa ikur nga fiqiri, edhe pa shkuar për fare. Sëmundja e të birit është realiteti ekzistencial, dhimbja e të birit është lëngata e tmerrshme e Tupes.

3.
Libri “Kur dhimbja premton dashuri” është një vëzhgim i vazhdueshëm, i kujdesshëm, plot pezëm dhe brengë, i mundimshëm, i mbërthyer nga shpresa dhe disfata, një sfilitje e pafund dashurie dhe hutimi që Mond Tupja dhe Xhilda bëjnë për të birin, Gesin. Babai autor futet nëpër mazgallat dhe labirintet e errëta të sëmundjes, mundohet të kuptojë botën vetjake të errët e të kyqur të të birit, shtynë me sa të mundet portat e kuptimshmërisë së gjërave, por që për fat të keq janë të mbyllura dhe memece. Mundohet të kuptojë se në ç’mënyrë është bërë një stinë e veçantë enkas për të birin dhe që është atje brenda tij, të kalojë nëpër urën që lidh botën reale me atë botën e fshehtë të Gesit, të kuptojë kyçet që mbajnë të bllokuar intelektin e të birit, ta çlirojë sa të mundet nga robëria e sindromës së tij, të marrë vesh e ta njohë unin e të birit, të dijë për kategoritë e çrregullimeve të personalitetit, të ndriçojë sadopak ekzistencën e dyfishtë karakteriale të të birit. Bota që ka përpara Edmond Tupja është e errët, pa asnjë dimension, pa asnjë dritë të vogël predispozite dhe mundësie, pa përmasë, është një botë që i përket vetëm të birit, brenda së cilës nuk mund të hyhet me asnjë lloj mundimi e kalvari, as dhe me dije e mekanizma. Ajo është si kutia e zezë e një avioni të rrëzuar e të zhdukur s’dihet se ku dhe që nuk ka për t’u marrë vesh kurrë se ç’jehona, zëra, shprehje ka marrë e i ruan përfundimisht me vete. Por ky lloj babai s’heq dorë së kërkuari, rropatet sa të mundet pa u shuar asnjëherë, i shtyrë nga dashuria dhe dhimbja, i drobitur nga pyetja e përjetshme se çfarë do të bëhet me Gesin kur prindërit e tij të mos jenë më në këtë botë.

4.
Para shumë vitesh mbaj mend të jetë botuar një poezi, “Sa shumë njerëz për të të rritur ty fëmija im” e Agim Isakut. Vërtet shumë njerëz, mësues, edukatore, gjyshër, përralla, kukulla, filma me ngjyra dhe libra gjithfarë lloji. Gjithë këta njerëz, zërat, vështrimi dhe pekulet e tyre e rrisin lehtësisht një fëmijë. Por djali i Edmond Tupes nuk e ka pasur fatin ta ketë përreth këtë luks, mbasi porta e dëshirave të tij, e mendjes së tij është e mbyllur për çdo gjë. Nga ajo portë ka vetëm një shteg të ngushtë, ku mund të hyjnë vetëm imazhet e prindërve të tij. Dhe Tupja e ka barrën për ta çuar dashurinë dhe vuajtjen deri në fund, deri atje ku nuk hyjnë dot kukullat, përrallat, përkëdheljet dhe ninullat, filmat. Po, po, edhe ninullat, sepse ato janë këngë gjumi dhe ëndrrash. Jam mrekulluar prej një shkrimi të Garsia Lorkës rreth ninullave dhe e kam parë se ato këngë nuk janë vetëm e vetëm për fëmijët.

5.
Edmond Tupja ka shkruar një vepër qytetare, duke dërguar në Recycle bin të gjithë shtirjet, gjasmimet, stilizimet me të cilat ne fshehim apo zbukurojmë realitetet personale. Ky njeri rri në kryqin e hallit të vet dhe vuan, por nuk përlotet, na hedh të gjithëve në prehër një libër, një traktat, një kanon për të kuptuar më mirë se kurdoherë një lloj vuajtjeje (që është bash vuajtje e vet). Ky libër është dhe një shërbim për të gjithë hallexhinjtë e kësaj sëmundjeje, njëfarë guide, një udhërrëfyes i thjeshtë. Ky libër është gishti i Tupes që është vënë në plagën që ka, si një shenjtor që e vë gishtin në dërrasën e gjoksit të tij për të akuzuar edhe vetveten për gabimet që ka bërë, ky libër është një gjest, një marrëdhënie civile me opinionin. Nuk është libër përshpirtjeje, megjithëse autori ka përvujtëri në tërë atë që shkruan, as vajtimi megjithëse lotët duken kudo. Mond Tupja nuk pozon, rri aty në qosh të kësaj bote, duke bujtur në historinë rrëqethëse të djalit të vet, duke e sajdisur aq sa mundet birin e tij me dashuri dhe kohë.

6.
Margaret Dyras thotë në një vepër të saj se “kujdesi i burrave nuk e ka kurrë atë shkëlqim verbues që ka ai i grave”. Dhe në tërë këtë vuajtje gati mistike s’ka se si nuk dallohet asnjë imazh gruaje. Fryma e Xhildës është kudo aty përreth librit dhe dhomës ku sillet Gesi i sëmurë. Po aty pranë kësaj vuajtjeje është dhe Holta Dulaku që mundësoi financiarisht botimin e librit, si dhe mjekja Liri Berisha kujdesin dhe vëmendjen e së cilës e kanë ndier të gjithë fëmijët e ngërthyer nga kjo lloj sëmundjeje. Vajza ime Rajsa e lexoi për tërë natën librin e Gesit dhe e vuajti të gjithën atë çfarë ishte shkruar atje, ime shoqe u përlot kur mësoi se Gesi Tupja ishte në një moshë me studentët e saj, kam parasysh gjithë ato nëna fëmijësh autikë që rropaten nëpër hallet e kësaj bote të rrejshme dhe të botës enigmatike të fëmijëve të tyre. Ky është libër edhe për Artën pedagoge italishte nga Shkodra dhe djalin e saj Aurenin, Olin mjeke dhe djalin e saj, për komshiun tim tek “Komuna e Parisit” dhe për vajzën e vogël të tij
Ky është libër i të gjithëve, pavarësisht nëse kanë lidhje apo jo me autizmin, sepse ky fundja e fundit është një libër dhimbje dhe dashurie, diturie, kërkimesh e rropatjesh të pafund, një libër i lidhur me fatin e njeriut.

Për t’iu kundërvënë amatorizmit për gjykimin e problemeve të historiografisë sonë letrare të zhvilluar në këto 15 vjet si dhe nxitja për vëmendjen e hartuesve të Historisë së Letërsisë në çështjet teorike të rishkrimit të letërsisë studiuesja e teorisë së letërsisë, Floresha Dado, jep përgjigje të organizuar shkencore në botimin “Sfida teoriket historiografisë letrare”, duke iu larguar praktikave të mëparshme shpesh agresive apo politike dhe të paintegruar në fondin e shkencës mbi letërsinë. Korpus teorik që orienton studiuesin drejt njohës së specifikës së sistemit letrar, dhe drejt zotërimit të sistemit të studimit letrar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›