E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria, dëshmitari ngatërroi të dhënat e Altin Arapit

22/01/2005  

TIRANË – Vazhdoi edhe dje me paraqitjen e provave shkresore seanca kundër të pandehurve Altin Arapi dhe Imelda Tasho, akuzuar për vrasjen e Genci Sinës. Falsifikimet e dokumenteve të bëra nga punonjës të gjendjeve civile në favor të Altin Arapit dhe ngatërresa e emrit të Altinit me të dhënat e Orik Shytit, ishin objekt i seancës së djeshme. Sipas akuzës, Altin Arapi është larguar nga pika kufitare e Tushemishtit Pogradec, në datën 4 tetor 2003, pak ditë pas vrasjes së Genci Sinës. Kjo gjë vërtetohet nga kqyrja e dokumenteve. Po dje u paraqit edhe një vërtetim, ku bëhej i ditur se, Genci Sina është vëllai i Gëzim Sinës, me të cilin "Hakmarrja për Drejtësi" ka patur njohje qysh në vitin 1995. Sipas Prokurorisë, vëllai i Genci Sinës, Gëzimi, i ka dhënë me qira shtëpinë grupit të "Hakmarrjes". Në këtë shtëpi është mbajtur peng për disa ditë djali i quajtur Erjon Nushi. Dje doli se edhe Genci Sina kishte njohje me Altin Arapin. Për t'u larguar, Altin Arapi ka përdorur emrin e rremë të Petrit Berzades. Emri i Petrit Berzades, me të cilin është larguar Arapi, ka qenë i shënuar në numrin rendor 10189, në raportin e pikës kufitare Tushemisht. Ndërsa pasaporta mban numrin 0237216, po me të njëjtin emër. Në pasaportë emri dhe gjeneralitetet kanë qenë të Petrit Berzades, ndërsa fotografia e Altin Arapit. Altin Arapi, tha akuza, mundi të nxjerrë pasaportën pas nxjerrjes së një certifikate në gjendjen civile të bashkisë Kamëz. Lindita Ponari ka falsifikuar këtë dokument në favor të Arapit. Është vërtetuar se personi me emrin Petrit Berzade në Tepelenë, nuk figuron dhe gjithçka rezulton fiktive. Altin Arapi ka nxjerrë edhe dy viza Shengen në ambasadën gjermane. E para e lëshuar në datën 31 janar 2003, me numër 23318438 dhe, e dyta, në datën 31 mars 2003, me numër 23970960. Këto pasaporta kanë qenë të falsifikuara dhe për personat përgjegjës ka filluar procedimi penal në prokurorinë e Elbasanit. Prokurori Enrik Ligori, tha dje se një dëshmitare në momentin e arrestimit të Altin Arapit ka ngatërruar akuzën, duke i dhënë numrin e Orik Shytit. Pra, në Belgjikë, në vend të të dhënave të Altin Arapit, ka shkuar fotografia e tij me të dhënat e Orik Shytit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›