E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paskuqani fut në debate komisionerët e KQZ-së. Subashi braktis mbledhjen

22/05/2009  Caktimi i VNV-ve, PS kundër prefektëve të PD-së

Shorti për anëtarin e GNV-së, mazhoranca e klasifikon PDK-në majtas

Debatet mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përcaktimin e vendeve të numërimit të votave sipas propozimeve të prefektit të qarkut, ka degjeneruar në sherr mes palëve dhe veçanërisht mes kryetarit të komisionit Arben Ristani dhe nënkryetares Dëshira Subashi. Kjo e fundit ka braktisur mbledhjen e komisionit në shenjë proteste për mënyrën e drejtimit të saj nga kryetari i KQZ-së. Konkretisht palët debatuan për propozimin që prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi. për VNV-në e ZAZ-së numër 58 për Paskuqanin. Përveç një ambienti privat Keçi kishte propozuar edhe hollin e një shkolle në Paskuqan me një sipërfaqe 98 m2. “Nuk e kuptoj pse duhet patjetër të zgjedhim mes një ambienti privat dhe një shkolle me një sipërfaqe kaq të vogël, kur ka ambiente të tjera. Propozoj që të gjendjet një tjetër ambient”, - u shpreh nënkryetarja Subashi. Fakti që shumica e votuesve të ZAZ-së numër 58 ndodhen në Paskuqan dhe kutitë e votimit të rrethinave të tjera e kanë më kollaj të shkojnë në Paskuqan se në Tiranë, për kryetarin e KQZ-së vlen propozimi i prefektit. Mirëpo propozimet e prefektit janë cilësuar tendencioze dhe jashtë përcaktimeve ligjore nga përfaqësuesit e majtë në komision. Ndërhyrjet e Subashit gjatë fjalës së Ristanit për të kundërshtuar arsyetimet e mësipërme janë cilësuar si mosrespektim i mënyrës se si funksionon mbledhja. “Nuk ua kam dhënë fjalën, kështu që mos flisni pa lejen time e mbi të gjitha kur flas unë. Kështu që fikni mikrofonin”, - tha ai. Ndërhyrja e përfaqësuesit të partisë “Forca Albania” për të mbështetur maxhorancën në sqarimin e çështjes ka acaruar situatën. Nënkryetarja Subashi, pasi ngriti pretendimin se përfaqësuesi në fjalë nuk duhej të prononcohej, pasi mungon një vendim i KQZ-së për këtë, la mbledhjen e KQZ-së. Debatet nuk munguan as mes anëtarit Pandeli Varfi dhe përfaqësuesit të PD-së Njazi Kosovrasti. Me 4 vota pro dhe dy kundër KQZ-ja miratoi që vendi i numërimit të votave në Paskuqan të jetë ambienti privat i Hajredin Ahmetit me sipërfaqe 350 m2. Po dje KQZ-ja miratoi listën e partive politike që do të kenë të drejtën e pjesëmarrjes në short për caktimin e anëtarit të 3-të dhe të 4-të të grupeve të numërimit. Me shumicë votash mazhoranca në KQZ e pozicionoi partinë e Ndokës majtas, pas arsyetimit të dhënë nga anëtari Osmani, sipas të cilit partia e Ndokës gjashtë muajt e fundit kishte votuar kundër ligjeve të qeverisë. Me 4 vota pro shorti do të hidhet mes PR-së, PAA-së dhe AD-së të shumicës parlamentare dhe LSI-së, PSD-së, PDS-së, PDK-së dhe PBDNJ-së të pakicës parlamentare.

Omuri kandidati i pavarur për Tiranën

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit do të njohin vetëm një kandidat të pavarur. Nëse të gjithë kandidatët e tjerë do të përfaqësohen nën siglën e subjektit zgjedhor që përfaqësojnë, Abdullah Omuri ka vendosur të kandidojë vetë për qarkun e Tiranës. Në respektim të përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, ai ka depozituar në KQZ firmat e 10 mijë zgjedhësve që e kanë mbështetur të noterizuara. Në këtë mënyrë, në fletën e votimit me përjashtim të katër koalicioneve zgjedhore dhe tri subjekteve zgjedhore që do të kandidojnë më vete, në fund të saj do të shënohet edhe emri i kandidatit të pavarur Omuri. Ky është i vetmi emër për të cilin qytetarët kryeqytetas do të jenë të qartë në votën që do të japin, pasi pjesa tjetër e subjekteve që do të renditen në fletën e votimit janë parti politike të ndjekura nga siglat dhe krerët e partive.

Sllovenët do të prodhojnë fletët e votimit

Fletët e votimit për zgjedhjet e 28 qershorit do të prodhohen nga një firmë sllovene. Këtë e konfirmuan burime nga KQZ-ja, pasi zyrtarisht ky institucion nuk ka marrë ende një vendim zyrtar për këtë çështje. Vendi pritet të merret pasi të miratohet përfundimisht modeli i kësaj flete. Deri tani administrata e KQZ-së ka hartuar gjithsej tri variante, mes të cilave komisioni do të vlerësojë më të përshtatshmen. Ajo që është vendosur deri tani është përmasa A-3 e kësaj flete dhe renditja e koalicioneve dhe e partive politike sipas rendit alfabetik. Sipas partive që kanë paraqitur lista shumemërore, të parat pritet të renditen katër koalicionet, tri subjektet zgjedhore dhe në fund kandidatët e pavarur. Gjithashtu një renditje po sipas alfabetit dhe jo sipas renditjes së marrëveshjes do të kenë edhe partitë brenda koalicionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›