E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i parave, çdo biznes nën vëzhgim

Autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse, do të raportojnë çdo veprim të dyshimtë tek Parandalimi i Pastrimit të Parave

Institucionet që japin licenca, do të monitorojnë aktivitetet e operatorëve që përfshihen në fushën e tyre


Të gjithë institucionet që japin licenca dhe që kanë statusin e mbikëqyrësit në treg, do të jenë të detyruar të raportojnë çdo transaksion, ose aplikim të dyshimtë për licencë, në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Një vendim i miratuar dje nga qeveria, urdhëron ministritë, Bankën e Shqipërisë, Dhomën e Avokatisë, dhe autoritetet e tjera licencuese dhe mbikëqyrëse, të njoftojnë në momentin e licencimit, apo gjatë aktivitetit, çdo transaksion të dyshimtë pranë Drejtorisë.

Kështu, Banka e Shqipërisë do të ketë nën vëzhgim bankat e nivelit të dytë, agjencitë e këmbimit valutor, ato të tregtimit të metaleve apo gurëve të çmuar, shoqëritë e leasing-ut, shoqëritë e Kursim-kreditet, ato që kryejnë transfertat e parave, etj.

Ministria e Punës do të ketë nën kujdes të gjitha organizatat jofitimprurëse. Ministri e Kulturës do të jetë përgjegjëse për çdo shitblerje veprash arti, vlera e të cilave e kalon kufirin e 1.5 milionë lekëve.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të ketë nën përgjegjësi aktivitetin e tregut të sigurimeve, Ministria e Drejtësisë, atë të noterëve dhe Dhoma e Avokatisë, atë të avokatëve. Ministria e Punëve Publike do të ketë nën përgjegjësi tregun e pasurive të paluajtshme dhe do të monitorojë punën e agjencive imobiliare, firmat e ndërtimit, agjencitë turistike, të transportit të mallrave dhe pasagjerëve, etj.


"Organet licencuese dhe mbikëqyrëse raportojnë tek autoriteti përgjegjës kur kanë informacione, sinjalizime e të dhëna se paratë ose pasuritë, të depozituara për licencim, rrjedhin nga vepra penale ose janë të përziera me para a pasuri të tilla, apo kur dyshojnë se veprimtaria që kërkohet të licencohet, do të ngrihet për të realizuar ose mbështetur pastrimin e parave",- thuhet në vendim.

Sipas tij, të gjitha këto institucione duhet të dërgojnë informacione jo më vonë se tri ditë nga marrja e informacioneve ose të dhënave që lidhen me pastrim parash ose financimin e terrorizmit.

Me anën e këtij vendimi, Bankës Qendrore, ministrive dhe autoriteteve të tjera licencuese ose mbikëqyrëse, u ndalohet të informojnë klientin ose çdo person tjetër për procedurat e verifikimit të rasteve të dyshimta, si dhe për çdo raportim në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Kur Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave vëren ose ka fakte se subjekti nën hetim është i përfshirë në këto veprimtari të paligjshme, ka të drejtë t'i bëjë kërkesë autoritetit licencues dhe mbikëqyrës t'i kufizojë, pezullojë, apo revokojë licencën e tij.

Aktualisht, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, identifikon çdo transaksion financiar që kalon vlerën e 6 milionë lekëve.


Pilotët e helikopterëve, me pension të posaçëm


Pilotët dhe teknikët e helikopterëve të njësive të transportit mjekësor, të dalë në pension, do të trajtohen në mënyrë të njëjtë me pilotët e tjerë.

Qeveria miratoi dje disa ndryshime në ligjin, "Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension", ku përfshin në ligj edhe ata pilotë dhe teknikë të transportit mjekësor, të cilët kanë fluturuar me helikopterë për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo kategori do të ketë të drejta të njëjta në përfitimin e pensionit, si çdo pilot, apo teknik tjetër i dalë në pension. Në ndryshimet e reja të ligjit, është shtuar një paragraf i tërë, i cili shpjegon edhe mënyrën e llogaritjes së pensionit për këtë shtresë.

"Me pagë referuese, për pilotët/teknikët e njësisë së transportit mjekësor me helikopter, për efekt të këtij ligji, kuptohet paga e grupit, plus pozicionin dhe shtesat për fluturime, të njehsuara me pagën referuese të funksionit organik të pilotit/teknikut të kësaj njësie, në të njëjtën detyrë me përfituesin, në çastin e lindjes së të drejtës për trajtim të veçantë financiar",- paragrafi i shtuar në ligjin për trajtimin e posaçëm të pilotëve.

Gjithashtu, është parashikuar që kur funksionet organike, në çastin kur piloti ose tekniku i njësisë së transportit mjekësor me helikopter, ka dalë në pension pleqërie, nuk ekzistojnë më në strukturën e Ministrisë së Shëndetësisë, atëherë ministri i Shëndetësisë do të bëjë njehsimin e tyre, për efekt të pagës referuese, me funksionet organike, që ekzistojnë në çastin kur atij i lind e drejta e përfitimit të këtij trajtimi.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›