E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pastrimi i zonës së Gërdecit, kusht për donacionet”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ambasadori i Këshillit Evropian, njëkohësisht dhe kryetar i sekretariatit të donatorëve për post Gërdecin ka deklaruar se donatorët janë gati për të ndihmuar për rindërtimin e zonës, por me një kusht. “Asnjë ndihmë nuk do të jepet, deri në momentin kur perimetri prej 800 metrash të shpallet publikisht dhe zyrtarisht zonë e sigurt“

Donatorët e huaj kanë përcaktuar qartë kushtin e tyre për investime në zonën e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona nga shpërthimi i një fabrike të demontimit të armëve. Ky qëndrim i tyre është bërë i qartë gjatë tryezës së organizuar dje në bashkëpunim me Qeverinë, “Prioritetet për rindërtimin e Gërdecit”. Në tryezë, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, i cili kërkoi një raport të hollësishëm për Gërdecin. Lohan theksoi se BE do të japë donacione për Gërdecin, pasi të njihet me strategjinë e Qeverisë për rindërtimin e kësaj zone të goditur nga shpërthimi. Sipas tij, donacionet do të startojnë, pasi të konfirmohet se pranë vendit të shpërthimit çdo gjë të jetë e sigurt. Nga ana e qeverisë shqiptare, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, sqaroi se faza e emergjencës ka kaluar, por theksoi se mbetet ende shumë punë për t u bërë deri në kthimin në normalitet të zonës. I njëjti qëndrim është mbajtur dhe nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.
Tryeza
Ambasadori i Këshillit Evropian, njëkohësisht dhe kryetar i sekretariatit të donatorëve për post Gërdecin, ka deklaruar se donatorët janë gati për të ndihmuar për rindërtimin e zonës, por me një kusht. “Asnjë ndihmë nuk do të jepet, deri në momentin kur perimetri prej 800 metrash të shpallet publikisht dhe zyrtarisht zonë e sigurt“. Deklarata e tij u bë në takimin e donatorëve me përfaqësuesit e qeverisë që u zhvillua dje. Lohan këshilloi familjet, banesat e të cilave u dëmtuan nga shpërthimi i fabrikës së demontimit „AlbaDemil“ më 15 mars, të mos kthehen derisa zona të jetë e sigurt që është pastruar nga predhat e pashpërthyera. “Asnjë familje të mos kthehet, derisa të jepet garancia që nuk ka asnjë predhë të paplasur“, - tha ambasadori i Këshillit Evropian, Helmut Lohan. Ai ka shtuar se donatorët janë të interesuar në këtë strategji gjithëpërfshirëse rindërtimi, por më parë duhet të hartohet një strategji. “Do t u ndihmojmë, nëse ka një strategji të përbashkët në lidhje me nevojat për ndihmë në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, mjedis dhe bujqësi”, - sqaroi ambasadori i Këshillit të Evropës. Më pas ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, informoi donatorët për masat dhe ndihmat që qeveria ndërmori për të prekurit nga tragjedia. Nishani informoi se deri më 15 maj, për personat e trajtuar dhe të strehuar në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme, janë shpenzuar 20 milionë lekë sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke shtuar se së bashku me të strehuarit në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes janë gjithsej 560 persona. Sipas tij, kanë qenë 4000 banorët e evakuuar të dëmtuar nga zona e fatkeqësisë, ndërkohë u krye edhe dhënia e ndihmës së parë ndaj 400 personave dhe transportimi për në spital i tyre dhe strehimi i 700 të tjerëve që kishin humbur shtëpitë dhe nuk kishin mundësi tjetër strehimi. Nishani tha se 16.6 milionë euro është mbështetja financiare që Qeveria shqiptare ka miratuar me propozim të Ministrisë së Brendshme, për ndërtimin e banesave të dëmtuara, për mbështetjen financiare të familjeve të viktimave, për dhënien e pagës për punëtorët që punonin në fabrikën e demontimit dhe për shpenzimet ditore të banorëve të dëmtuar. Ndërkohë që bëhet e ditur se 75 % e të dëmtuarve kanë tërhequr nga bankat ndihmën e ofruar. Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dha sqarime për pastrimin e zonës së Gërdecit nga predhat e pashpërthyera. Sipas tij, zona e shpërthimit është skanuar, por nuk ka siguri nëse zona, perimetri prej 800 metrash, është tërësisht e pastër. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit në Gërdec mbetën të vrarë 26 persona, rreth 300 u plagosën dhe u dëmtuan mijëra banesa e biznese.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›