E Diel, 1 Nëntor 2026

Toleranca ndërfetare, virtyt i kombit shqiptar

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua të martën në Presidencë me Ipeshkvin e Nderit të Hildeshajmit, njëkohësisht President Nderi i Komisionit të Konferencës Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (COMECE), dr. Jozef Homajer. Topi vlerësoi rolin e tij të çmuar gjatë misionit shpirtëror dhe historik, duke theksuar kontributin e dhënë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërfetar në Evropën Juglindore, si edhe gjatë procesit të pajtimit. Kreu i Shtetit, pasi përshkroi disa nga arritjet dhe reformat kryesore të ndërmarra në vend, si konsolidimi i shtetit të së drejtës, zhvillimi ekonomik, etj, vuri në dukje se njëri nga tiparet më të rëndësishme me të cilin krenohet mbarë shoqëria shqiptare është toleranca dhe harmonia ndërfetare, virtyte që pasqyrojnë më së miri vlerat e kombit tonë, të cilat besojmë t ia bashkangjisim së shpejti familjes së madhe evropiane në përmbushje të aspiratave tona integruese. Ipeshkvi i Nderit të Hildeshajmit dhe njëkohësisht President i Nderit i Komisionit të Konferencës Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (COMECE), shprehu admirimin për sukseset dhe transfomimin e madh të Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare, për lirinë e garantuar kushtetueshmërisht të ushtrimit të besimit fetar, si dhe premtoi se do të vazhdojë misionin e tij fisnik për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ndërfetar dhe bashkërendimin mes bashkësive fetare dhe politikave qeverisëse.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›