E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasuria, 66 zyrtarë në konflikt interesi

Zv-Ministri i Bujqësisë, Ndue Preka dhe 5 zyrtarë të tjerë kanë përfunduar në prokurori pasi nuk kanë deklaruar pasuritë


TIRANË-Zëvendësministri i Bujqësisë Ndue Preka dhe 5 zyrtarë të tjerë të lartë kanë përfunduar në prokurori pasi nuk kanë pranuar që të "zbardhin xhepat" e tyre në zbatim të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Një fakt të tillë e konfirmon Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në raportin e vet vjetor të punës për vitin 2008 i cili ka mbërritur dje në Kuvend, ndërsa bëhet e ditur se janë parandaluar apo janë zgjidhur 66 raste të tjera kur zyrtarët kanë qenë në konflikt interesi.


Deklarimi i pasurisë

Mbështetur në dispozitat ligjore mbi deklarimin e interesave private, rezulton se numri total i subjekteve që mbartin detyrimin për deklarimin në ILDKP për vitin 2008 ka qenë 3913 zyrtarë, nga të cilët 445 janë deklarata përpara fillimit të punës, 3508 janë deklarata periodike dhe 237 janë deklarata pas largimit nga puna.

Pavarësisht angazhimit dhe punës paraprake të kryer në fund të procesit të deklarimit u evidentuan 70 zyrtarë të cilët nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor brenda afatit të parashikuar nga ligji, konkretisht deri më 31 mars të 2008.

Në këto rrethana ILDKP është detyruar të marrë masa administrative me gjobë për të 70 rastet e mësipërme, të cilët nuk respektuan ligjin.

Gjoba i është dërguar zyrtarëve dhe titullarëve të institucioneve që kanë në varësi të tyre zyrtarët subjekt deklarimi.

Nga këto masa të marra siç bëhet e ditur në raport ka rezultuar se vetëm 6 prej tyre ankimuan masën administrative në ILDKP, me pretendimin se kishin arsye të bazuara për vonesën e dorëzimit të deklaratës.


Në shqyrtimin e këtyre ankimimeve ILDKP ka pranuar arsyet e dhëna nga vetëm dy subjekte, ndërsa për 4 rastet e tjera ka lënë në fuqi masën e mëparshme, njëri prej të cilëve e ka ankimuar këtë masë përsëri në gjykatën e Tiranës. Pavarësisht gjobave ka rezultuar se përsëri 11 prej këtyre zyrtarëve nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre, për të cilët ILDKP ka bërë kallëzim penal në prokurori për refuzim të deklarimit të pasurisë.


Kontrolli i plotë

Me anë të këtij raporti ILDKP bënë të ditur se për vitin që lamë pas janë verifikuar në mënyrë të plotë 642 deklarata pasurie të zyrtarëve që në bazë të ligjit janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre, një pjesë e mirë e të cilëve janë përzgjedhur në bazë të shortit që ky institucion hodhi gjatë muajit maj, ndërsa për 2969 subjekte të tjera është bërë kontrolli aritmetiko-logjikë i deklaratave.

Përsa i përket procesit të kontrollit të plotë ai është kryer me anë të korrespondencës me institucionet publike, korrespondencës me institucionet bankare brenda dhe jashtë vendit, si dhe marrjes së informacioneve nga burime të tjera përfshi këtu edhe median.


Kështu, për problemet e vërejtura gjatë procesit të kontrollit të plotë në vitin 2008 ILDKP ka dorëzuar një kallëzim penal në organin e prokurorisë për fshehje pasurie për një zyrtar me funksion zëvendësministri, por pa u bërë i ditur emri.


Nga burime pranë organit të akuzës mësohet se bëhet fjalë për zëvendësministrin e Bujqësisë Ndue Preka, i cili mësohet se nuk ka mundur të argumentojë të ardhurat e veta, si dhe një kredi të marrë nga bankat.


Gjithashtu ILDKP ka paraqitur një kallëzim të ngjashëm edhe për një prokuror dhe katër zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët gjatë verifikimi u vu re se kishin shkelur ligjin.
Fejzi Braushi

ILDKP sqaron rrugën e ndjekur për verifikimin e pasurive


Raporti, si u evidentua shkelja e ligjit


TIRANË- Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në bashkëpunim dhe me autoritet përgjegjëse ka mundur që gjatë vitit 2008 të parandalojë apo të zgjidhë 66 raste kur zyrtarë në veprimtarinë e tyre të përditshme kanë qenë në konflikt të drejtpërdrejtë apo indirekt interesi.

Nga kontrollet e ushtruara në institucione dhe nga të dhënat e konstatuara nga vet deklarimet e bëra si dhe nga media, për vitin që lamë pas ky institucion është detyruar të verifikoi 120 raste të dyshuara për konflikt interesi.

Nga i gjithë ku numër i nënshtruar verifikimit ka rezultuar se më shumë se gjysma e këtyre subjekteve, pra në 66 prej tyre dyshimi ka qenë jo krejt pa baza, pasi këta zyrtarë kanë qenë në konflikt interesi.

Të gjitha rastet e mësipërme janë evidentuar nëpërmjet disa rrugëve. Kështu, 19 raste nëpërmjet kontrollit aritmetiko-llogjikë, 25 raste në të cilat është shmangur rekrutimi në funksione të ndryshme, informacioni ka ardhur nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me stafin përgjegjës të institucioneve përkatëse, 7 rastet nga korrespondenca me institucionet e ndryshme dhe 1 rast është servirur nga media.

Ndërsa në respekt të ndalimeve dhe kufizimeve që bënë ligji është shqyrtuar dhe parandaluar pjesëmarrja apo kualifikimi i operatorëve ekonomikë në procedura të ndryshme prokurimi, sepse ndodheshin në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak të interesit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të zyrtarëve të ndryshëm në shoqëritë që përfaqësonin.

Ndërkohë për deklarimet e reja që pritet të bëhen këtë vit, ILDKP ka vendosur në formularin e deklarimit një hapësirë për gjeneraliteteve të personave të lidhur me zyrtarin, nëpërmjet të cilës ky institucion do të krijojë një bazë më të plotë të dhënash të lidhur me zyrtarin.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›