Pasurohet me 500 tituj biblioteka te "Besnik Sykja"
Nxënësit e shkollës së mesme "Besnik Sykja" do të kenë në dispozicion një literaturë të pasur e të larmishme, përmes së cilës ata do të mund të zgjerojnë dijet e tyre. Falë nismës më të re të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, "Dhuro një libër", bibliotekës së kësaj shkolle do t‘i shtohen rreth 500 libra të rinj, dhuruar nga katër shtëpi botuese në kryeqytet. Kjo literaturë do të pasurojë fondin e kësaj biblioteke e do u japë mundësi të rinjve të enden të sigurt në lëmin e pafund të dijes, por njëkohësisht të kuptojnë rëndësinë dhe vlerat e padiskutueshme të librit, si një thesar i paçmuar. Ata do të kenë mundësinë të kalojnë orët edukative në mjediset e bibliotekës së kësaj shkolle, duke shfletuar libra të rinj e në këtë mënyrë do të shpenzojnë kohën në mënyrë të frytshme, duke mbledhur informacion dhe përfituar njohuri, si faktorë të një rëndësie maksimale për zhvillimin e tyre. Kjo bibliotekë do të jetë në shërbim të të gjithë nxënësve që mësojnë te "Besnik Sykja", duke iu përshtatur objektivave të përdoruesve të saj, do të jetë një stimul për të kultivuar leximin, si një armë kaq e domosdoshme në formimin e brezit të ri.