E Hënë, 2 Nëntor 2026

Patenta, e sigurtë sa pasaporta dhe lekët

31/05/2005  Po punohet për nënshkrimin e marrëveshjes që e bën të njohur në Rajon e më pas në BE

Patenta e re do të jetë një ekuivalent i pasaportës, edhe pse me të nuk mund të dalësh jashtë shtetit, por mund të përdorësh pa problem makinën tënde jashtë shtetit. Kjo nuk është e mundur për momentin, por Drejtoria e Përgjithshme e Transportit ka filluar fazën e dytë të tratativave, që kanë të bëjnë me njohjen e patentës sonë në të gjitha vendet e Rajonit dhe të BE–së. Kështu mësohet se, aktualisht, patenta njihet vetëm brenda vendit, por pas nënshkrimit të marrëveshjeve do të njihet dhe në vendet e tjera, duke i ardhur në ndihmë emigrantëve, të cilët do të kenë një patentë të vlefshme atje ku jetojnë, edhe pse kursin dhe patentën e kanë marrë në Shqipëri. “Nuk mjaftojnë vetëm elementët e sigurisë, nevojiten marrëveshje konkrete me të gjitha vendet, për ta bërë të pranueshme patentën tonë”, thotë Shpëtim Cami, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor. Drejtoria e Shërbimit Rrugor ka filluar prezantimin e patentës në të gjitha vendet e Evropës, duke shpërndarë specimenin nëpërmjet ambasadave tona. “Ne kemi njoftuar Ministrinë e Jashtme të fillojë shpërndarjen e specimenit kudo ku gjenden ambasadat tona“, sqaron Shpëtim Cami.

Lehtësirat që përfitojnë shtetasit shqiptarë nëpërmjet patentës së re, janë quajtur një hap cilësor në punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, që ka mundur të mbyllë brenda në viti projektin e patentës, duke bërë të mundur që të gjithë shtetasit të fillojnë procedurën për të marrë patentën e re. Kështu, sipas të dhënave, tenderi për Lejen e Drejtimit ka hedhur në lojë miliona dollarë, por pas përzgjedhjeve të firmave ndërkombëtare të ofruara, është bërë e mundur të nënshkruhet kontrata me “Bull LTD”, që ka pranuar të shtypë patentën e re për 800 mijë dollarë. Vetëm 5 mijë lekë dhe patenta do të bëhet e çdo shoferi të ri apo të vjetër dhe duket se statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transporteve kanë llogaritur që 358 mijë patenta duhet të ndërrohen brenda vitit, pa folur për patentat e reja që jepen çdo muaj nga kjo drejtori. Duhet thënë se në volumin e patentave të dhëna, vetëm një e teta e tyre është e marrë nga gratë, ndërkohë që duket se numri i patentave është shumë më i lartë se numri i makinave në qarkullim. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit duket se do të ketë punë në muajt në vazhdim, pasi jo vetëm interesi për të ndërruar patentën është i lartë, por dhe numri i atyre që pajisen çdo muaj me patentë të re. Kështu, edhe pse çmimi i kursit për të marrë një patentë është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, duke shkuar në 400 mijë lekë, nevoja për t’u pajisur me patenta ka bërë që një pjesë e mirë e adultëve të bëhen klienta të autoshkollave.

Shpëtim Cami, tani s’ka mundësi për falsifikime

Leja e re e drejtimit e ka shasnin shumë të vogël për t’u falsifikuar. Sipas drejtorit të Transportit Rrugor, patenta ka elementë sigurie sa dhe pasaporta apo monedhat. “Me patentën e re i pritet rruga falsifikimit të tyre, duke eliminuar atë problem të madh me patentat e vjetra, të cilat falsifikoheshin lehtësisht“, thotë Shpëtim Cami. Tashmë, Drejtorisë së Transportit i mbetet vetëm të ushtrojë një kontroll të rreptë mbi këtë proces, duke filluar që nga momenti i akordimit të një patente e deri te zëvendësimi i tyre. “Ne kemi ngritur struktura të posaçme kontrolli për të bërë një kontroll të rreptë mbi procesin e kualifikimit në autoshkolla dhe testimit në Drejtorinë Rajonale”, sqaron Shpëtim Cami. Fillimisht, firma hungareze “Bull LTD“ ka prodhuar 100 mijë patenta, me të cilat Drejtoria do të ketë mundësi të aplikojë dhe një periudhë prove për të parë se si do të hidhet ajo në treg. “Janë sjellë 100 mijë patentat e para dhe ne do të fillojmë nga procesi i shpërndarjes në fillim të qershorit“, bën të ditur drejtori i Transportit Rrugor, Shpëtim Cami. Ndërkaq, ata që sapo mbarojnë kursin e patentës dhe japin me sukses provimin, do të marrin automatikisht patentën e re.

Elementët e sigurisë

Shenjat e gishtërinjve

Shiriti manjetik

Grupi i gjakut

358 mijë shqiptarë kanë patenta

100 mijë patenta të gatshme

42 mijë patenta nga gratë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›