E Diel, 1 Nëntor 2026

Patentat false, dërgohen në gjykatë katër zyrtarë

Autori i Lajmit: red.
“Targa e fundit”

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë, për rrjetin e zyrtarëve të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin pajisnin me targa dhe i prisnin doganën mjeteve të dyshimta që hynin në territorin e Shqipërisë. Prokuroria ka vënë përpara drejtësisë shtetasit Ela Shano, pronare e autoshkollës “Majestik”, Liman Doka, personi që kryente falsifikimin e dokumenteve, Vladimir Dervishi instruktor, bashkëpronar i autoshkollës “Majestik” dhe Ylli Hasani komisionar i seksionit të patentave. Katër personat që do të përballen me drejtësinë janë pjesë e grupit të arrestuar nga operacioni “Targa e fundit”, nga antikrimi ekonomik dhe zyra e antikorrupsionit e drejtuar nga Task-Force. Ndryshe nga pjesa tjetër e grupit këta persona merreshin me nxjerrjen e patendave nëmënyrë të jashtligjshme duke bërë falsifikimin e dokumenteve. Katër të akuzuarit do të përballen me akuzat “Korrupsion pasiv në sektorin provat e kryer në bashkëpunim”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Prodhim dhe mbajtja e mjeteve për falsifikim”.
Gjyqi
Dosja me katër të pandehur dhe me akuzat përkatëse është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës vetëm pak ditë më parë. Dosja është hedhur në short elektronik dhe dodja i ka rënë për gjykim gjyqtarit Fehmi Petku. Tashmë pritet që të caktohet data për seancën e parë dhe katër të pandehurit të dalin përpara togave të zeza. Nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës mësohet se dosja mbanë numrin 1338 dhe është dorëzuar në gjykatë që në datën 26.05.2009. Ela Shano, pronare e autoshkollës “Majestik”, Liman Doka, personi që kryente falsifikimin e dokumenteve, Vladimir Dervishi instruktor, bashkëpronar i autoshkollës “Majestik” dhe Ylli Hasani komisionar i seksionit të patentave u arrestuan nga policia në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Sëbashku me ta u arrestuan edhe shumë zyrtar të tjerë. Për shkak se veprat penale të kryera nga të arrestuarit e operacionit “Targa e fundit” nuk ishin në bashkpunim dhe hetimet u bënë të ndara, në këtë proces gjyqësor do të gjykohen vetëm këta katër shtetas, të cilët veprat penale i kanë në bashkpunim me njeri-tjetrin.
Arrestimi
Operacioni “Targat e fundit” i antikrimit ekonomik dhe zyrës së antikorrupsionit i drejtuar nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës u finalizua me 11 persona të arrestuar. Mes të prangosurve ishin disa funksionarë të drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, si komisionarë, arkivistë, pronarja e një autoshkolle dhe një instruktor. Të arrestuarit akuzohen se falsifikonin dokumentet dhe me arnë të ryshfetit pajisnin me leje drejtimi persona, që nuk e meritonin ose jepnin dokumente për makina me doganë false. Përfitimi i të arrestuarve nga nxjerrja e një patente shkonte deri 60–75 mijë lekë të reja. Për një targë mjeti false apo një targë me katër shifra të njëjta pagesa varionte nga 40 mijë lekë deri në një mijë euro.

Skema e abuzimeve
Antikrimi ekonomik dhe zyra e antikorrupsionit e policisë së kryeqytetit, kanë nisur hetimin, ndërsa me teknikat speciale janë kryer vëzhgimet dhe përgjimet e veprimeve që bënin të arrestuarit. Pjesës më të madhe të kursantëve për patenta që shkonin pranë autoshkollës “Majestik” u thuhej se komisioni kërkonte para dhe këtë punë sipas policisë e kryente Ela Shano, bashkëpronare e autoshkollës. Gjithashtu, ajo kryente edhe përgatitjen e dosjeve për secilin kursant duke falsifikuar dokumentet. Ndërkaq, mësuesi i shkollës 9–vjeçare në Lana-Bregas, Liman Doka 60 vjeç, përgatiste dokumentacionin e falsifikuar për kursantët, që nuk i kishin shkresat e nevojshme. Fillimisht ai është lënë në arrest shtëpie nga gjykata, por gjetja e dokumenteve të falsifikuar ka rënduar situatën e tij. Policia mësohet se ka sekuestruar më tepër se 20 dosje për provimin e patentave, që mendohet se janë me dokumente false dhe disa herë më tepër dosje të automjeteve të targuara, që dyshohet se janë me doganë të falsifikuar.

Ky lajm është publikuar: 01/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›