E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Deklaratat e Leskajt, tendencioze

"Tendencioze dhe për interesa politike". Kjo ka qenë përgjigjja e menjëhershme e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ndaj deklaratave të kryetares së grupit socialist, Valentina Leskajt, lidhur me emërimet në Gjykatën e Lartë. Pas gjetjes së gjuhës së përbashkët për reformat mes PD dhe PS, duket se dy partitë më të mëdha në vend po i rikthehen luftës së vjetër politike. Afrimi i fushatës elektorale duket se ka egërsuar të dyja grupet parlamentare të djathtë dhe të majtë. Emërimet në Gjykatën e Lartë, nuk kanë futur në konflikt vetëm kreun e shtetit me Kryetaren e Parlamentit, por në këtë valle kanë hyrë edhe dy partitë më të mëdha. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Astrit Patozi, u shpreh gjatë një konference për shtyp se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtën Parlamentit të shqyrtojë me themel dhe në substancë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Patozi tha se "pretendimet e ditëve të fundit, të përfaqësuesve më të lartë të PS-së lidhur me emërimet në Gjykatën e Lartë, janë krejtësisht abuzive, të pabazuara në fakte dhe të frymëzuara nga qëllime të pastra politike".

Kreu i grupit të PD-së u shpreh se nuk do të pranojë asnjë formë presioni të iniciuar nga PS lidhur me emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. "Për grupin parlamentar të PD-së, çdo formë e presionit politik në procedurën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë është sa joproduktive, aq edhe e papranueshme", tha Patozi. Sipas tij, "deri tani në këtë proces nuk është shkelur dhe dhunuar asnjë afat ligjor dhe asnjë detyrim kushtetues, e aq më pak të jenë cenuar të drejtat e njeriut të ndonjë personi". Kreu i deputetëve demokratë theksoi se "vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh qartësisht Parlamentit të drejtën e shqyrtimit në themel dhe në substancë të çdo kandidati që ofrohet për anëtar të Gjykatës së Lartë. Ky është një atribut që është i detyrueshëm të pranohet jo vetëm nga mazhoranca apo nga disa forca politike, por nga të gjithë". Numri dy i Partisë Demokratike nënvizoi se "deklaratat e drejtuesve të PS-së ne i konsiderojmë një formë të qartë presioni politik, që nuk shkakton asnjë pasojë në qëndrimin tonë korrekt, kushtetues dhe ligjor për këtë çështje".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›