Pollo: Reagimi i menjëhershëm i kryeminisstrit, standard i qeverisë kundër abuzivizmit

Zëvendëskryeministri Genc Pollo deklaroi sot në Kuvend, se "reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit Berisha për 'çështjen Pango' është standardi që ka vendosur kjo qeveri për ata që abuzojnë me detyrën". Gjatë debatit të lirë në seancën plenare, zv/kryeministri Pollo vuri në dukje se "shkarkimi i menjëhershëm i deputetit Ylli Pango nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është dëshmia se kjo maxhorancë nuk toleron abuzivizmin". Ai vuri në dukje se edhe në rastet që është përfolur në mënyrë gjysmë të besueshme, por publike, ka pasur dorëheqje duke dëshmuar marrjen e përgjegjësisë individuale. Në këtë drejtim, zoti Pollo solli në vëmendje "se dorëheqje ka pasur dhe në rastet e një fatkeqësie të shkaktuar për arsye kriminale korruptive, që mbeten për t'u zbuluar, apo në rastin kur maxhoranca dorëzoi imunitetin për akuzat politiko-financiare të manipuluara të opozitës". Duke bërë një krahasim mes standardeve që përfaqëson kjo maxhorancë dhe standardeve që ofron opozita e sotme, zoti Pollo theksoi se "në qershor votuesit shqiptarë duhet të zgjedhin midis vazhdimësisë të reformave të një Shqipërie që po ndryshon dhe një përpjekje për të ofruar një alternativë nga pala tjetër. Dua të përmend ish-kryetarin e PS-së, i cili në periudhën e katarsisit përmendi 12 raste konkrete të shoqëruara me emra konkretë të abuzimeve në detyrë për favore të tilla, jo të mbetura në tentativë, por të kryera. Edhe pse prisnim që të kishte shkarkime apo dorëheqje, për fat të keq edhe me përfundimin e katarsisit apo ndryshimin e qeverisë, kjo gjë nuk ndodhi", tha zoti Pollo.
...