PS, Gjiknuri: Nuk kërkojmë rinumërim, por vetëm hapje të kutive
Partia Socialiste kërkoi prapë rihapjen e kutive të votimit, duke e konsideruar këtë si kërkesë ligjore. Deputeti Damian Gjiknuri tha se PS nuk kërkon që nëpërmjet komisionit hetimor të rishikojë vendimet për rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm të zbardhë materialet zgjedhore që janë në kuti, të cilat nuk përbëjnë sekret shtetëror. "Partia Socialiste nuk po kërkon rinumërimin apo rishikimin e vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve. Këto vendime kanë marr formën e prerë dhe komisioni hetimor nuk është rruga ligjore për të shfuqizuar, sepse komisioni nuk do të zëvendësojë gjykatën pasi nuk mund të marr vendime për rezultatin e zgjedhjeve. Politika duhet të kuptojë se nëse lipset nevoja për një reformë ligjore në lidhje me zgjedhjet, apo qoftë dhe korrigjim të pjesshëm të praktikës së deritanishme, ajo duhet të fillojë me analizën e procesit të kaluar, përfshirë edhe hetimin parlamentar për shkeljet e pretenduara", - deklaroi Gjiknuri.