Patozi, Ramës: Respekto gjykatën, mos përdor Ruzhdien
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duhet të pranojë vendimet e Kolegjit Zgjedhor për zonat në të cilat kërkon hapjen e kutive, ashtu siç e pranoi vendimin e kësaj gjykate për rastin e Ruzhdies. Kjo ishte thirrja që i bëri dje Ramës kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në një konferencë për shtyp. “Në këtë këndvështrim parimor, e ftojmë zotin Rama, që ashtu siç e pranoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Rushdien, nëpërmjet të cilit përfitoi një mandat, të pranojë dhe respektojë edhe çdo vendim tjetër të tij”, u shpreh Patozi.
Po kështu, nënkryetari i PD-së foli edhe për situatën që kaloi kjo komunë e Qarkut të Fierit gjatë ditës në të cilën u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, në këtë zonë ishte pikërisht Kolegji Zgjedhor, i cili pasi mori në shqyrtim rastin, nuk vendosi përsëritjen e votimit, por i deklaroi të pavlefshme rreth 400 votat e gjetura në kuti. Patozi theksoi ishte pikërisht largimi i komisionerëve socialistë ai që solli shpalljen e pavlefshme të këtyre votave, të cilat do t’i kishin dhënë PD-së një mandat tjetër deputeti në këtë zonë. Sipas tij, u bënë disa ditë me radhë që Edi Rama po thërret “Eureka” për njërën prej 4753 kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke keqpërdorur dhe keqinformuar për këtë mediat e Tiranës. Por Patozi thekson se PD po mbështet të gjitha organet e drejtësisë për të nxjerrë përgjegjësit e vërtetë të situatës, e cila ndodhi më 28 qershor të vitit të shkuar në një nga Komunat e Fierit. “Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet organet gjyqësore dhe prokurorinë në nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive për Ruzhdien dhe për çdo rast tjetër, mbi bazë e fakteve dhe provave të paraqitura nga subjektet politike dhe administrata zgjedhore”, theksoi Patozi për mediat. Sipas tij, demokratët kanë mbështetur dhe do të mbështesin simetrinë bipartizane në komisionet zgjedhore, duke qenë se ky është kushti vendimtar për integritetin e procesit zgjedhor. Një javë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, gjatë fjalës së mbajtur në Parlament me rastin e dorëzimit të drafteve ligjore të opozitës, i bëri një sfidë Kryeministrit Berisha pikërisht me zonën e Ruzhdies. Duke përdorur deklaratat e Kryeministrit se në këtë zonë demokratët kishin humbur një deputet, Ruçi deklaroi se opozita hiqte dorë nga kërkesat e saj për hapjen e kutive në disa zona, me kushtin që të hapej kutia e Komunës së Ruzhdies. Por përgjigjja e mazhorancës ishte se tashmë për këtë zonë kishte vendosur Kolegji Zgjedhor dhe mazhoranca nuk ankimon vendimet e gjyqësorit.
#