Ndërtimi, në telashe nga kriza apo nga vetja?
Opinion
Arben Gjalpi*
Kohët e fundit është përfolur shumë për krizë në industrinë e ndërtimit dhe është përmendur shpesh nga grupet e interesit se kjo krizë ka prekur thellë një nga sektorët më të rëndësishëm të kësaj industrie, siç është sektori i ndërtimit të banesave, duke ia faturuar shkakun kryesisht krizës financiare globale. Por para se t’ia faturojmë shkakun e krizës së tregut të banesave ekskluzivisht krizës financiare globale, që padyshim ka dhe ajo pjesën e saj, natyrshëm lind pyetja: a janë bërë ashtu siç duhet detyrat e shtëpisë nga cilido që ka pasur një rol, qoftë rregullues apo zbatues, në industrinë e ndërtimit në mënyrë që zhvillimi i sektorit të ndërtimit të banesave të mund të trajtohej me prioritetin dhe kujdesin që i takon, duke pasur parasysh jo vetëm kontributin ekonomik, por për më tepër edhe rëndësinë jetike, si dhe efektet sociale dhe urbane që ky sektor përcjell te mbarë popullsia dhe në territorin urban? E me sa duket, përgjigjja nuk mund të jetë plotësisht pozitive, pasi kushdo që ka sadopak njohuri në këtë fushë mund të konstatojë i bindur që zhvillimi i ndërtimit të banesave në Shqipëri, që pas vitit 1990 e deri në ditët e sotme, është ndërmarrë kryesisht me iniciativa private dhe që në fillimet e para të privatizimit të këtij sektori, ndërtimet e banesave janë zhvilluar krejtësisht të pakontrolluara e në mënyrë spontane pa llogaritur domosdoshmërinë e funksionimit të faktorëve të tregut në përputhje me karakterin social dhe mundësitë reale ekonomike të një pjese të madhe të qytetarëve Shqiptarë. Madje mund të thuhet se, duke bërë një vrojtim në teren të një pjese të madhe të ndërtimeve të bëra pas vitit 1991, mund të vërtetohet me fakte se pjesa më e madhe e tyre është kryer pa asnjë lloj planifikimi urban apo përshtatshmëri ekonomiko-sociale. Për më tepër, ky zhvillim i pakontrolluar i ndërtimeve rezidenciale, i paudhëhequr dhe i pambikëqyrur nga një kornizë ligjore dhe pa një plan rregullues urban, ku të përfshihen strategjitë e zhvillimit të banesave dhe pronave në tërësi, ka bërë që sektori i ndërtimit të banesave t’i hedhë hapat ashtu si një fëmijë që fillon të hedhë hapat e tij të para, me ecje jo të rregullt, por në formë zigzage. Praktikisht, ekzistenca e një shume të madhe parash kryesisht nga aktivitetet ilegale dhe remitancat, si dhe mekanizmat e tjerë që mundësonin financimin për ndërtimin e banesave dhe blerjen e tyre, dhe nga ana tjetër lejimi i funksionimit të këtij sektori në mënyrë krejt spontane dhe spekulative ka krijuar atë që në terminologjinë e përkthyer nga anglishtja e kësaj industrie quhen ‘flluskat e tregut të banesave’. Këto flluska nuk janë asgjë tjetër veçse një treg i fryrë që triumfon për një periudhë kohe të papërcaktuar, në varësi të faktorëve që shoqërojnë investimet e pronave të paluajtshme. Gjithsesi, a të jetë vërtet një problem madhor thjesht fakti që në treg janë pa shitur 4 mijë banesa sikurse deklarohet nga Shoqata e Ndërtuesve? Personalisht mendoj se shqetësimi i kujtdo që është pjesë e institucioneve publike apo private të kësaj industrie nuk ka se si të përqendrohet thjesht tek fenomeni i numrit të shitur apo të pashitur të banesave dhe të alarmohemi, duke ndenjur duarkryq. Në të vërtetë, paradoksi dhe shqetësimi real qëndron te fakti se nga njëra anë deklarohet që në treg kemi një numër të konsideruar apartamentesh të pashitura dhe nga ana tjetër, qindra-mijëra qytetarë presin të akomodohen në banesa publike nga shteti, apo ta blejnë atë nëpërmjet transaksioneve private, por pa asnjë lloj shprese se do mund ta realizojnë shpejt një gjë të tillë.
Subjektet ndërtuese të fillojnë t’i përgjigjen tregut në përputhje me mundësitë reale të konsumatorëve shqiptarë e jo sikur të jemi në mes të Parisit apo të Londrës. Hapësirat e kompromisit të çmimeve, për të mundësuar subvencionimet nga shteti për banesat e pashitura në favor të familjeve për të përfituar banesë me kosto të ulët mund të ishte një variant i konsiderueshëm që do zhbllokonte kapitalin e ngrirë prej shumë kohësh.
*Ekspert i Pronave Urbane
#