E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria çon për gjykim shkaktarët e konfliktit tek “Sadik Petrela”

Prokuroria çon për gjykim shkaktarët e konfliktit tek “Sadik Petrela”

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka përfunduar hetimet lidhur me ngjarjen e 2 shkurtit në rrugën “Sadik Petrela” në kryeqytet. Pas kësaj, burimet nga prokuroria thanë se dje dosja e kësaj çështjeje i është dërguar gjykatës për shqyrtim gjyqësor. Lajmi në fjalë është konfirmuar ditën e djeshme nga grupi hetimor i kësaj çështjeje në Prokurorinë e Tiranës. Hetimet për këtë çështje nisën në muajin shkurt nga Prokuroria e Tiranës pas arrestimit të shtetasve Izmir Zaka, 52 vjeç dhe tre djemve të tij, Nertil, Armand e Bledar Zaka, përkatësisht 20, 23 dhe 24 vjeç, banues në Tiranë, me akuzën "vrasje me dashje të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim". Sipas të dhënave hetimore, personat e mësipërm akuzohen se kanë tentuar të vrasin me thikë dhe sende të forta për motive të dobëta mbrëmjen e 2 shkurtit në rrugën "Sadik Petrela" dy pjesëtarë të familjes Oshafi, Ramazan Oshafi, 52 vjeç dhe djalin e tij, Altinin, 26 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë zënkës mes pjesëtarëve të familjes Zeka dhe Oshafi, mbetën të plagosur rëndë Ramazan dhe Altin Oshafi si pasojë e goditjes me armë të ftohta nga tre pjesëtarët e familjes Zeka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›