E Diel, 1 Nëntor 2026

Paturri: Ina Rama të më gjejë hajdutët e pronave

"Do të dorëzoj mandatin nëse Prokuroria e Përgjithshme do të gjejë hajdutët që më kanë vjedhur pronat". 

BLEDAR HOTI

Kështu ka deklaruar deputeti i PR-së, Hajrulla Paturri, pas njohjes me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tij, që do të paraqitet zyrtarisht në Parlament. Deputeti republikan ka qenë i habitur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë, si dhe me padinë e ngritur nga ana e arbitrit të ndeshjes, Guçe, të cilin e dhunoi. "Jam i habitur për padinë e ngritur, pasi unë si shqiptar i kam kërkuar falje publike arbitrit, madje kam pirë edhe kafe me të dhe i kam kërkuar të falur", deklaroi në prononcimin për median Paturri. Deputeti republikan ka deklaruar se, "është i habitur për veprimin e Prokurorisë së Përgjithshme, edhe pse një deputet ka bërë kallëzim për pronën e vjedhur dhe se ky institucion nuk është vënë në lëvizje për zbardhjen e ngjarjeve". "Mua më është grabitur tri herë prona, dy herë më është vjedhur me maska dhe një herë më është grabitur makina në oborrin e shtëpisë. I kam denoncuar këto raste në prokurori. Nëse Prokuroria zbardh dhunimin e pronës sime, unë jam i gatshëm të lejë jo vetëm imunitetin, por edhe mandatin tim si deputet", theksoi Paturri. Deputeti i PR-së theksoi se, "arbitri, pas takimit me të e ka falur deputetin për veprimin që ka bërë". "Kam pirë kafe dhe më ka nisur një sms, ku thuhej se gabimet janë njerëzore, kurse falja është hyjnore. Pasi Prokuroria të më zgjidhë punën, unë do të heq imunitetin dhe mandatin nëse do jetë nevoja", deklaroi më pas Paturri. Por arbitri Guçe, edhe pse ka pranuar kërkesën për ta falur, duket se nuk ka bërë veprimin e radhës të tërheqjes së padisë penale ndaj deputetit.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur më datë 30 mars të këtij viti, kur po luhej ndeshja mes Ilirisë dhe Albetrolit. Në minutat e fundit të ndeshjes që po zhvillohej në Fushë-Krujë, shumë tifozë ndërprenë lojën, duke iu vërsulur arbitrit. Ndaj arbitrit Shkëlqim Guçe vërshuan shumë grushte dhe shqelma, të cilat më pas i mori përsipër deputeti i PR-së, Hajrulla Paturri. Pas 30 marsit ishte vetë deputeti republikan që mori përsipër ngjarjen gjatë një konference për shtyp. "Kam qenë vetëm unë që e kam goditur dhe kam bërë shumë mirë. Asnjë nga lojtarët nuk ka vepruar në fund të ndeshjes. E rraha unë arbitrin, por fajtori është ai me atë gjykim që bëri. E meritonte", tha deputeti. Por disa ditë më vonë, Paturri, i penduar për deklaratën e lëshuar, bëri një letër publike, ku kërkonte falje për veprimin e bërë. "Tashmë nuk duroj dot më dhe po bëj këtë deklaratë me shkrim dore. Ju lutem të gjithëve të më ndjeni, pasi gabove shumë rëndë", e mbyll letrën e tij deputeti republikan të publikuar 10 ditë më pas.

Imuniteti për 3 deputetë

Që prej ardhjes në pushtet të maxhorancës së djathtë, Prokuroria e Përgjithshme ka depozituar tri kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetëve të saj. Kërkesa e parë u bë nga kryeprokurori Sollaku ndaj ministrit të Jashtëm, Basha, për punimet Durrës-Kukës, e dyta ndaj ish-ministrit Mediu për ngjarjen e Gërdecit dhe e treta ndaj Paturrit për një grindje me arbitrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›