E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda javës përfundojnë punimet në autostradë



Autostrada Tiranë-Durrës brenda javës do të funksionojë normalisht në të dyja anët e saj, pasi rikonstruksioni i nisur disa muaj më parë është drejt përfundimit. Kështu që gjithë drejtuesit e automjeteve që përdorin këtë rrugë për të kryer aktivitetet e tyre do të udhëtojnë të qetë, pa qenë nevoja për të bërë kalime vetëm në njërën anë të autostradës. Rikonstruksioni i autostradës lindi si nevojë e cilësisë së punimeve, pasi çdo vit mirëmbajtja e këtij segmenti vetëm duke mbuluar gropat i merrte buxhetit të shtetit rreth 1 milion euro. Pjesë e rikonstruksionit do të jetë edhe sinjalistika dhe ndriçimi i rrugës. Autostrada Tiranë-Durrës është segmenti rrugor me trafikun më të madh të automjeteve në vendin tonë. Rreth 25 mijë makina kalojnë çdo ditë në këtë segment, numër ky që dyfishohet në periudha të veçanta, sidomos në verë. Rikonstruksioni i autostradës Tiranë-Durrës është një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 600 milionë lekë, një ndërhyrje në të gjithë gjatësinë e segmentit prej 32 km nga Tirana në Durrës. Punimet po kryhen nga firmat "Euroteorema" dhe "Salillari", ndërsa supervizioni po kryhet nga MPPTT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Për shkak të rikonstruksionit në autostradën Tiranë-Durrës, trafiku dhe qarkullimi i automjeteve po bëhet në një korsi, i alternuar. Nga MPPTT-së dhe instancat përkatëse janë marrë të gjitha masat që të minimizohen efektet e kësaj ndërhyrjeje në qarkullimin e mjeteve në këtë autostradë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›