E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës, diplomacia shqiptare mposht atë serbe

Autori i Lajmit: red.
Një betejë e nëndheshme është zhvilluar prej më se tre muajsh ndërmjet diplomacisë shqiptare dhe asaj serbe, e cila ka përfunduar me fitoren decizive të diplomacisë shqiptare. Kjo e fundit ka arritur që në Damask të Sirisë, në sesionin e 36-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike, që mbylli punimet më 25 maj, dhe në të cilin mori pjesë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri Lulzim Basha, të marrë konsensusin e 57 vendeve anëtare të Organizatës për një rezolutë në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës. Në seancën përmbyllëse të Ministerialit zhvilluar dje paradite, u miratua rezoluta e iniciuar nga Shqipëria, në të cilën evidentohet qartë se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike, ka Kushtetutën e saj moderne, ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej, kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-t që në sesionet e radhës të ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në axhendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj rezolute me unanimitet dëshmon për një realitet të ri në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, e cila vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme të Kosovës nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjes së saj nga Mbretëria e Bahrejnit dhe Unioni i Komoreve vetëm pak ditë më parë. Burimet nga punimet e Sesionit të Damaskut bëjnë të ditur se pas këtij realiteti të ri, pritet një bum njohjesh të shtetit të ri Kosovës nga vendet e OKI-t. Nga burime të besueshme diplomatike bëhet e ditur se diplomacia shqiptare ka qenë tepër aktive në funksion të miratimit të rezolutës për Kosovën. Me të dërguarit e saj specialë ne Damask, në Xhedah dhe në disa vende të tjera të rëndësishme të OKI-t, Shqipëria është angazhuar prej më shumë se tre muajsh në një operacion të nëndheshëm diplomatik të përmasave të mëdha me qëllim miratimin e një rezolute në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës. Mësohet se diplomacia shqiptare është markuar në vijimësi nga ajo serbe me qëllim bllokimin e kësaj iniciative. Kjo kulmoi me vizitën e 10 ditëve më parë të ministrit të Jashtëm, Jeremiç, në Damask dhe takimeve të tij me autoritetet më të larta të Sirisë, e cila mbante presidencën e radhës së OKI-t. Jeremiç ka kërkuar bllokimin e rezolutës dhe pjesëmarrjen e Serbisë me të drejtën e fjalës, duke pretenduar madje edhe marrjen e statusit të vëzhguesit. Edhe një herë janë vënë në lëvizje mekanizmat e dy diplomacive, të Tiranës dhe Beogradit, të cilat kanë lobuar ethshëm në drejtime krejtësisht të kundërta për të marrë mbështetjen e anëtarëve të OKI-t. Burimet diplomatike janë tepër të rezervuara për të dhënë detajet e kësaj faze vendimtare të betejës diplomatike. Por një gjë është e sigurt: Jeremiç dhe delegacioni serb nuk ka qenë të pranishëm në Sesionin e 36-të të ministrave të Jashtëm të OKI-t dhe rezoluta në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës është miratuar sot në unanimitet të plotë nga 57 vendet anëtare të Organizatës.
Ky lajm është publikuar: 26/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›