E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Referendum për ngritjen e centralit bërthamor”

Autori i Lajmit: red.
Bisedimet për centralin bërthamor janë ende të hapura dhe s ka asgjë konkrete. Kështu është shprehur Presidenti Bamir Topi për gazetën kroate “Veçernji List”. Sipas tij, kjo çështje nuk është tabu, por kur flitet për të duhet të ketë transparencë. Kreu i Shtetit shtoi, madje, se nëse është e nevojshme, vendimi për centralin bërthamor mund të merret dhe me referendum. Topi ka komentuar më tej për situatën e qëndrueshme politike në vend, rëndësinë e zgjedhjeve, bashkëpunimin rajonal, mundësinë e një mini-Shengeni me vendet e rajonit, por dhe për rritjen e investimeve kroate në vend. Për sa u përket raporteve me Serbinë, ai ka theksuar se ndahen mendime të ndryshme lidhur me Kosovën, por ndërkohë që ka tema të rëndësishme mes dy vendeve që lidhen me bashkëpunimin në disa fusha të ndryshme, si ekonomi, bujqësi etj.

Si e vlerësoni situatën në Shqipëri duke marrë parasysh faktin se së shpejti do të mbahen zgjedhjet parlamentare në qershor dhe vërejtjet e deritanishme të bashkësisë ndërkombëtare për sistemin demokratik të dobët në vend?
Situata politike në Shqipëri është e qëndrueshme. Partitë politike momentalisht po zhvillojnë fushatën. Kemi një ligj të ri zgjedhor, i cili përuron sistemin proporcional dhe mendojmë se do të jetë mirë. Zgjedhjet janë sigurisht tema kryesore, por është gjë e mirë që u bëmë vend i NATO-s dhe kemi aplikuar për vend kandidat në BE.
Në pushtet është koalicioni i Partisë Demokratike të Sali Berishës, parti së cilës i përkisni edhe ju. A prisni ndryshime?
Nuk mund të futem në parashikime, sepse para zgjedhjes në funksionin e Presidentit të Republikës isha nënkryetar i Partisë Demokratike, dhe pas zgjedhjes në funksionin aktual kam ndërprerë aktivitetet e mia partiake. Me rëndësi është që këto zgjedhje të jenë të lira, korrekte dhe të forcojnë demokracinë në Shqipëri. Kush është më i fortë, le të fitojë.
BE-ja ka një sërë vërejtjesh për vendet në tranzicion, kështu edhe për Shqipërinë. Këto janë gjithmonë: korrupsioni, kriminaliteti i organizuar, reforma të ngadalta, në mënyrë të veçantë në sistemin gjyqësor.
BE ka standardet e saj dhe ato nuk janë të ndryshueshme. Po punojmë intensivisht për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Jemi shumë të suksesshëm në luftën kundër kriminalitetit, ndërsa në fushën e gjyqësorit rezultatet janë gjithnjë e më të mira. Jemi të gatshëm të luftojmë kundër korrupsionit, por në disa nivele ende kemi korrupsion.
Ekziston një kritikë sistematike ndaj Shqipërisë për trafikun e njerëzve. Sipas vlerësimeve nga jashtë, Shqipëria në këtë trafik gjeneron një numër shqetësues grash, vajzash dhe fëmijësh, ndërmjet të cilëve, më shumë se 50 %, janë nën moshën 18 vjeç.
Besoj se edhe këtu shihen ndryshime. Trafikimi është bërë nëpërmjet detit dhe për këtë kemi aprovuar një ligj shumë të fortë kundër këtij fenomeni, ligj i cili ndoshta në disa pjesë të tij edhe prek të drejtat e njerëzve që të shëtisin lirshëm me varkat dhe jahtet e tyre në det, por kjo është bërë në mënyrë që të ndërpritet plotësisht trafikimi nëpërmjet detit Adriatik. Natyrisht, edhe Italia është përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces. Probleme kemi në kufi me Greqinë, por ky është më shumë emigracion ekonomik se sa trafikim, i cili edhe ky nga ana e tij ka shënuar një zvogëlim drastik.
Është vlerësuar pozitivisht iniciativa e Shqipërisë, i ashtuquajturi mini-Shengen, sipas të cilit Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova janë marrë vesh për një sistem pa viza.
Qëllimi i mini-Shengenit është lëvizja e lirë e njerëzve në rajon, ndërsa heqja e vizave ose marrja e tyre në kufi, është një fillim i mirë. Kemi arritur marrëveshje për heqjen e vizave edhe me Bosnje-Hercegovinën, dhe kam shpresë se kësaj do t ia arrijmë edhe me Kroacinë. Nuk ka gjë më të mirë se sa njerëzit në tërë rajonin të lëvizin pa viza. Kështu ata çlirohen psikologjikisht kur është kështu, ndërsa vendet e Ballkanit sot nuk kanë probleme me nacionalizmin dhe situata është e favorshme që njerëzit të jenë me të vërtetë të lirë.
Sa është e pranishme Shqipëria në Kosovë?
Bashkëpunimi me Kosovën është bashkëpunim ndërmjet dy shteteve që përpiqen të përmirësojnë bashkëpunimin në të gjitha nivelet. Shqipëria ka mundësi modeste që të ndihmojë financiarisht Kosovën, por ndihma është politike. Dëshirojmë të ndihmojmë në forcimin e shtetit multietnik, të zhvillojmë dialogun institucional dhe infrastrukturën e qarkullimit në drejtim të Kosovës, sepse një gjë e tillë do t i vinte në ndihmë mbarë rajonit.
Çështja e Kosovës në mënyrë të nevojshme është e lidhur edhe me marrëdhëniet me Serbinë. Shqipëria bën lobing për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Serbia është kundër. Sa ndikon kjo në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë?
Mendoj se Serbia nuk ka për ta njohur kurrë Kosovën e pavarur, por nga ana tjetër Kosovën po e njohin shtetet e tjera të botës, dhe unë më shumë vlerësoj njohjen nga ana e pothuajse të gjitha vendeve të rajonit dhe mendoj se ky është një proces i pakthyeshëm. Edhe Kosova, pas disa viteve, do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, ndërsa Serbia pas njëfarë kohe do të mësohet me këtë situatë. Ky realitet krijon stabilitet në rajon.
A kontaktoni me Presidentin serb, Tadiç, dhe sa?
Takohemi kryesisht në disa tryeza shumëpalëshe. Kemi qëndrime të ndryshme për Kosovën, por jam i mendimit se vendet tona kanë edhe tema të tjera, ato në të cilat mund të bashkëpunohet, si ekonomia, bujqësia, blegtoria, turizmi, bashkëpunimi kulturor dhe, para së gjithash, energjetika.
A është i pranishëm kapitali serb në Shqipëri?

Besoj se është. Dëshiroj që ky të përparojë. Në panairet e zhvilluara në Shqipëri shoh prani të serbëve, ndërsa edhe biznesmenët tanë përfaqësohen në Serbi.
Energjetika është problem i tërë rajonit dhe në mënyrë të veçantë ekziston problemi i strategjisë në të gjitha vendet. Sa është real ndërtimi i një termocentrali bërthamor që do të ndërtonin Kroacia dhe Shqipëria?
Nuk ka asgjë konkrete. Kjo është një temë e hapur, e cila njëkohësisht është edhe shumë e ndjeshme për publikun e të dy vendeve. Nuk mund të themi se është temë tabu, por gjithsesi kur flitet për të, duhet të jemi transparentë. Nëse është e nevojshme, vendimi mund të merret edhe me referendum.
A është autostrada adriatiko-joniane prioritet në Shqipëri?
Deri tani prioritet yni është ndërtimi i rrugës që do të lidhë portin e Durrësit dhe Kosovën. Nga ana tjetër, është me rëndësi për ne edhe një segment prej 70 kilometrash që lidh Shkodrën me Malin e Zi. Me sa shoh, jemi afër kësaj lidhje, e sigurisht këtu është përfshirë edhe drejtimi adriatiko-jonian.
Ndërtuesit kroatë ndërtojnë tashmë në Mal të Zi. A kanë ndërmarrjet kroate më shumë shanse për të punuar në Shqipëri?
Ne jemi shumë liberalë për sa i përket konkurrimit të ndërmarrjeve të ndryshme për punime në Shqipëri dhe gjithsesi jemi të interesuar për hyrjen edhe të ndërmarrjeve kroate. Investitorët kryesorë janë deri tani Italia dhe Greqia si vende fqinje, dhe pastaj Gjermania.
Shqipëria vitet e fundit është një zbulim turistik, por për shkak të varfërisë dhe mungesës së zhvillimit, deri tani ka qenë konkurruese më shumë me çmimet se sa me kapacitetet.
Deri tani në turizëm secili bënte diçka sipas mundësive të tij dhe pa ndonjë strategji apo plan të caktuar, por tani është miratuar plani në nivel shtetëror dhe qëllim është turizmi elitar në kombinim me mbrojtjen e mjedisit. Po vijnë investitorë të rinj, të tillë që deri tani nuk ka pasur në Shqipëri, si nga Britania e Madhe, Zvicra dhe vendet nordike. Këto janë vende që duan të hyjnë në Mesdhe. Të shohim se si do të zhvillohet.
Sipas vlerësimit të Bankës Botërore jeni vendi më i pazhvilluar në Evropë, por njëkohësisht keni rritjen më të shpejtë ekonomike. Sa po e ndjeni krizën?
Sipas të dhënave të Institutit tonë shtetëror të Statistikave, të vërtetuara këto edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si dhe Banka Botërore, kriza ende nuk është e pranishme. Shqipëria ende vazhdon të shënojë një rritje modeste. Megjithëse jemi vend i vogël, me një sistem jo fort të zhvilluar financiar, jemi vend i uritur për investime. Sigurisht që kriza ka ndikim, sepse është globale, e ndërkohë po vijnë më pak para nga emigracioni ynë, por nuk është kaq e dukshme si në vendet e tjera. Shpresoj se viti 2010 do të jetë vit kthese për sa i përket ndalimit të krizës globale.
Sipas disa anketave të BE-së, qytetarët e Bullgarisë dhe Hungarisë janë disi nostaligjikë për kohët e shkuara. A ka nostalgji në Shqipëri për socializmin?

Shqipëria deri në vitin 1968 ka qenë vend i Paktit të Varshavës, pastaj u larguam nga ai kështu që nuk ndajmë të njëjtën histori. Tek ne 96 % e njerëzve kanë qenë për hyrjen në NATO, gjë e cila përbën një rast unik. Ndoshta ka njerëz që ëndërrojnë për kohën e socializmit të Enver Hoxhës, demokracia pranon edhe të tillë, por nëse ka, ju siguroj se është një pakicë krejtësisht e parëndësishme.
Josip Kuzhe u bë trajner i përfaqësues shqiptare të futbollit.
Kam marrëdhënie të mira me Oto Bariçin, disa futbollistë kroatë si Daliç e Pejiç, kanë luajtur në Shqipëri. Ne në Shqipëri vlerësojmë cilësinë dhe nivelin e futbollit kroat. Trajneri Kuzhe do të jetojë dy vite në Shqipëri dhe besoj se do të jetë në gjendje të bëjë një punë të mirë. Pres rezultate të mira të përfaqësueses shqiptare nën drejtimin e tij.
Ky lajm është publikuar: 26/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›