Zv/kryeministri Ilir Meta: Provokimet e Ramës, si gripi stinor që duhet lënë pas, Shqipëria do vazhdojë rrugën e integrimit

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta komenton situatën politike në vend, duke iu referuar gjërësisht qëndrimit të opozitës dhe kërkesave të pajustifikueshme të Edi Ramës. Meta ironizoi kërcënimet e kryesocialistit, duke i quajtur ato simptoma të “gripeve stinore” që duhen anashkaluar sa më parë, për të ndjekur rrugën e reformave dhe prosperitetin evropian të Shqipërisë. “Kur ne presim pyetësorin është momenti që qeveria dhe opozita të përqëndrohen totalisht tek këto sfida sepse integrimi jonë europian është interesi kryesor kombëtar. Do doja ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshëm, si një grip stinor që duhet ta lëmë sa më shpejt pas dhe të ecim të gjithë përpara sepse nuk kemi kohë për të humbur”, u shpreh Meta. Në një konferencë për shtyp, Ministri i Jashtëm Meta ndërsa bëri një ekspoze të vizitave të tij në Athinë dhe Bruksel, ftoi politikën të punojë për qëllimet integruese të vëndit pasi interesi kombëtar prevalon mbi të gjitha. Duke iu referuar vizitës së fundit në Greqi dhe Bruksel, Meta veçoi takimin me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu, duke theksuar se qeveria helene është e vendosur për të çuar përpara nismën për të anëtarësuar Ballkanin Perëndimor në BE deri në vitin 2014. Ndërkaq, Meta tha se e majta shqiptare do të marrë pjesë në samitin e Partive Socialiste Europiane i cili zhvillohet në Pragë, sepse kjo është një mundësi për të komunikuar për sfidat që na presin.