E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, një rrugë në Tiranë me emrin e Rugovës

Në ceremoninë e rastit merrte pjesë kryeministri Sali Berisha dhe dy kryebashkiakët e dy kryeqyteteve shqiptare, ai i Tiranës, Lulzim Basha dhe ai i Prishtinës, Isa Mustafa. “Dua t’i uroj për 4 vjetorin e Pavarësisë, për këtë ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët kudo që jetojnë dhe qytetarët e Kosovës.

Gjatë bisedës u ndalëm në fushat e përbashkëta të qeverisjes lokale dhe problematikat me të cilat ndeshemi, me përvojat dhe me një plan bashkëpunimi që do ta konkretizojmë në vizitën time në Kosovë”, tha Basha.

 Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, u shpreh se ndihej i privilegjuar që në këtë 4 vjetor ndodhej në Tiranë. “E ndjej vetën të privilegjuar që 4 vjetorin e Pavarësisë ta festojmë në Tiranë bashkërisht. Ju falenderoj për hapjen e një rruge me emrin e presidentit historik. Ky është një nder i veçantë për ne, jo vetëm për respektin që tregoni ndaj figurës së tij, por edhe për kosovarët që janë flijuar për vlerat e demokracisë që sot po i jetojmë”, tha ai.

Më tej, Mustafa shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit midis Prishtinës dhe Tiranës. “Ne kemi fusha të përbashkëta që do ti zhvillojmë. Kemi nevojë të përshpejtojmë bashkëpunimin, të përjetojmë përvojat që ka kaluar Shqipëria, për shkak të gjendjes së vonë tonë. Kemi nevojë për mendimet, por edhe ekspertizën ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, pasi ne jemi afër dhe mund të komunikojmë si çdo qytet në Kosovë. Fushat e përbashkëta do ndihmojnë përparimin dhe hapave që bashkërisht do ndërmarrim drejt integrimit të familjes së madhe Evropiane”, vijoi kryekomunari i Prishtinës.

Kryeministri Sali Berisha, theksoi se sot po nderohet figura dhe arkitekti i Kosovës së pavarur, ish-presidenti Ibrahim Rugova. “Përulem me nderim te madh para veprës se Rugovës, këtij njeriu mendjendritur”, tha Berisha.  /Start/

                                                                                             2012-02-17 11:28
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›