E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësoni sistemin e drejtësisë

 "Ne do të vazhdojmë të fokusojmë mbështetjen tonë për reformën e drejtësisë në Shqipëri”, tha ambasadorja britanike, duke theksuar se “sa më shumë zhvillohet Shqipëria dhe sa më shumë i afrohet BE-së, mund të ketë shumë ndryshime dhe reforma në sistemin e saj ligjor”.

McIlwham prezantoi fillimin e projektit me trajnime për Shkollën e Magjistraturës, që mbështetet nga Ambasada dhe realizohet nga ekspertë të shquar të sistemit të drejtësisë britanike dhe Fondacionit të njohur “Slynn”.

“Jam sot këtu për të paraqitur një seri trajnimesh për Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në kontekstin ndërkombëtar”, tha McIlwham, duke shtuar se, “nëpërmjet bashkëpunimit me Fondacionin Slynn në Shqipëri ne kemi ofruar ekspertizë në disa pjesë të sistemit shqiptar të drejtësisë. Sipas ambasadores britanike, “fokusi ka qenë tek Gjykata e Lartë, por ne kemi punuar edhe me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe prej shtatorit po punojmë me Shkollën e Magjistraturës”.

“Shteti i së drejtës dhe drejtësia janë në themel të vlerave të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së dhe zemra e një demokracie funksionale dhe të suksesshme. Një sistem gjyqësor i fortë dhe i pavarur është një kërkesë që Shqipëria të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Për të gjitha këto arsye, ne kemi dhe do vazhdojmë të fokusojmë mbështetjen tonë në reformën e drejtësisë në Shqipëri”, tha McIlwham.

Sipas saj, “meritokracia, pavarësia, profesionalizmi dhe respekti për të drejtat e njeriut janë kërkesa të detyrueshme për çdo gjyqtar, apo aktor të sistemit të drejtësisë. Mungesa e ndonjërës prej tyre ka një impakt negativ mbi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Nuk duhet vetëm të bëhet drejtësi, duhet parë që po bëhet drejtësi”. /Start/

                                                                                             2011-11-14 14:18
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›