E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paypal, ndërpret lidhjen e pagesave me Wikileaks

Një nga drejtuesit e kompanisë Paypal, që ofron shërbimin e pagesave përmes internetit, njoftoi se ka ndërprerë lidhjet e saj të biznesit me kompaninë Uikiliks, pasi kishte marrë një letër nga administrata amerikane. Osama Bedier tha se sipas departamentit amerikan të Shtetit, Uikiliks-i ishte përfshirë në aktivitete që konsiderohen të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, disa persona kanë ndërmarrë sulme kibernetike duke vënë në shënjestër faqet e internetit të kompanive që kanë ndërprerë lidhjet me Uikiliks, përfshirë kompaninë Mastercard dhe një bankë zviceriane që mbylli llogarinë e themeluesit të Uikiliks, Julian Assange. Vetëm një ditë më parë Kompanisë dhe drejtuesit të saj Julian Assange i ka ardhur mbështetje nga një drejtim i papritur, ministri i Jashtëm i Australisë, vend që po shqyrton ndjekje penale ndaj tij.

Komentet e ministrit të jashtëm australian, Kevin Rudd, ishin në kundërshtim me deklaratat e kryeministres së vendit, Julia Gillard, e cila e quajti Assange një njeri krejtësisht të papërgjegjshëm. Julian Assange po mbahet në një burg në Londër, në pritje të përfundimit të procedurës së extradimit në Suedi.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›