E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallash poshtë krevatit të studentes së infermierisë

27/05/2009  Ia kishte lënë i dashuri, policia kap poseduesit, dyshohet për shitje armësh

TIRANE- Një studente e Fakultetit të Infermierisë Tiranë është arrestuar, pasi gjatë një kontrolli policia e kryeqytetit konstatoi se në dhomën e saj të konviktit që ndodhet në rrugën e Dibrës, ishte fshehur një automatik kallashnikov. Mësohet se pas arrestimit të studentes 20-vjeçare me inicialet E. R. nga Fushë-Kruja, punonjësit e policisë kanë kryer edhe arrestimin e dy shtetasve të tjerë që mendohet se janë poseduesit e vërtetë të armës luftarake. Të ndaluarit janë 23-vjecari nga Lushnja Erkens Zeneli dhe 23-vjeçari tjetër nga Erseka Aleksandër Lezo. Burimet zyrtare pranë policisë së Tiranës thanë se falë informacioneve të mara në rrugë operative është mundësuar të zbulohet se dy shtetasit e sipërcituar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mundur të transportojnë nga Lushnja për në Tiranë automatikun me numër 029586, ku në përbërje të së cilit ishte edhe një karikator me 28 fishekë. Nga hetimet paraprake mendohet se dy të rinjtë kishin menduar që automatikun ta shisnin në Tiranë. Lidhur me ngjarjen uniformat blu thanë se sapo kanë mbërritur në kryeqytet, për të mos rënë në sy të rinjtë kanë planifikuar që armën automatike ta fshehin tek e dashura e 23-vjeçarit nga Lushnja Erkens Zeneli. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka negociuar me të dashurën e tij, 20-vjeçaren me inicialet E .R., e cila fillimisht nuk ka pranuar t’i plotësojë dëshirën personit të zemrës. Por pas insistimit të tij si dhe pas mashtrimit se atë po e ndiqte policia, studentja që studion në vitin e dytë për infermieri, ka pranuar të marrë armën dhe ta fshehë atë në dhomën e konviktit ku ajo banonte me shoqet e saj. Mirëpo siç duket në dijeni për praninë e një arme në konvikt ishte vënë policia e Tiranës. Nuk dihet me saktësi se nga kishte rrjedhur informacioni, por gjatë orës 23:30 efektiva të shumta policie janë dislokuar në ambientet e konviktit të vajzave, ku gjatë një kontrolli të imtësisht në çdo dhomë është konstatuar se poshtë krevatit të shtetases E. R. ndodhej një kallashnikov, i cili pas ekzaminimit u vërtetua se ishte në gjendje shumë të mirë pune. Menjëherë pas sekuestrimit të armës është arrestuar studentja, e cila në polici ka treguar edhe emrin e personit që ia kishte dhënë armën. Aktualisht materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›