E Diel, 1 Nëntor 2026

Cigare drejt Malit të Zi me mushka “kontrabandiste”

27/05/2009  Kapen në kufi 16 koli cigare. Trafikantët kishin vënë para mushkat dhe i ruanin në distancë

SHKODER- Rikthehen tentativat e dëshpëruara të kontrabandistëve të cigareve në kufirin veriperëndimor Shqipëri-Mali i Zi. Ndonëse kontrabandistët e mallrave të akcizës kanë ndryshuar mënyrat e transportit për kalim të paligjshëm të kufirit, përsëri blutë e kufirit kanë qenë në gatishmëri. Efektivat e policisë kufitare të qarkut të Shkodrës kanë arritur të parandalojnë kontrabandimin e plot 16 kolive me cigare.

Kontrabanda

Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës, vetëm 10 minuta pas mesnatës së kaluar në fshatin Brigje komuna Kastrat të rrethit Malësi e Madhe është bërë ndalimi i cigareve që kishin si destinacion Malin e Zi. Të njëjtat burime sqarojnë se shërbimet e Policisë Kufitare të D.R.K.M Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e komisariatit Malësi e Madhe dhe sektorin e Luftës Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë qarkut Shkodër, kanë bërë të mundur kapjen e 16 kolive cigare të markës VIVA Slims, të cilat po hynin kontrabandë nga territori i vendit fqinjë të Malit të Zi, drejt territorit shqiptar. Kontrabandistët këtë radhë nuk po i transportonin vetë cigaret, por kishin gjetur si zgjidhje kafshët e transportit që mund të kalojnë me lehtësi terrenet e vështira malore. Kafshët, dy mushka ecnin përpara me cigaret e ngarkuara, ndërkohë që kontrabandistët i vëzhgonin në distancë. Fillimisht shërbimet policore kufitare kanë dalluar siluetat e kafshëve që lëviznin dhe kanë dyshuar për kalim të paligjshëm kufiri. Menjëherë këto forca janë vënë në lëvizje dhe kanë konstatuar se dy mushkat po transportonin cigare kontrabandë drejt Malit të Zi. Sipas burimeve policore, pavarësisht se kontrabandistët e cigareve nuk u kapën në vendin e ngjarjes, shërbimet përkatëse policore kanë kryer shoqërimin e dy shtetasve, të cilët dyshohet se janë autorë të tentativës për kontrabandimin e cigareve të kapura në kufirin shqiptaro-malazez.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›