E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët, në testim nga studentët

Formular vlerësimi për përgatitjen e profesorit, komunikimin dhe përfitimi nga lënda

Pedagogët nuk do të jenë vetëm vlerësues, por edhe të vlerësuarit. Një herë në vit, rolet pedagog-student do të “këmbehen”. Kjo do të thotë që në një lloj mënyre pedagogët do të kalojnë test për sa u takon përshtypjeve dhe simpative apo antipative që kanë krijuar studentët gjatë semestrit të parë akademik.

Sipas projektit të fundit ‘universitar’, në mënyrë moderne do të realizohet kontrolli i punës së profesorëve që japin mësim në universitetet shtetërore. Qëllimi kryesor i këtij projekti është evidentimi i problematikave që hasin studentët me pedagogët, si dhe gjetja e katalizatorëve për “amortizimin” e shqetësimeve studentore. Konkretisht dje, Universiteti i Tiranës ka publikuar draftin e formës së vlerësimit që do të përdoret gjatë semestrit të dytë akademik. Përpara çdo provimi, studentët do të plotësojnë formularin, duke vlerësuar çdo pedagog dhe çdo lëndë që kanë kryer, të dhëna që më pas do të grumbullohen nga rektorati dhe fakultetet e Universitetit të Tiranës. “Kjo, me qëllim identifikimin e problematikave dhe marrjen e masave të nevojshme që do të mundësojnë zvogëlimin e tyre”, sqaroi dje zyrtarisht Universiteti i Tiranës.

Drafti

Universiteti i Tiranës ka përgatitur draftin e formës së vlerësimit të pedagogëve nga studentët, praktikë që do të nisë gjatë semestrit të dytë të këtij viti akademik.

Sikurse ishte paralajmëruar edhe nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, formulari është dërguar në fakultete për t’u shqyrtuar nga pedagogët dhe studentët.

Me anë të kësaj forme vlerësimi, studentët e Universitetit të Tiranës do të kenë mundësi të vlerësojnë pedagogët e tyre, lëndët, si edhe infrastrukturën e departamenteve përkatëse.
Kjo, sipas rektoratit të Universitetit të Tiranës, do të mundësojë identifikimin e shpejtë dhe real të problematikave që ka Universiteti i Tiranës. Pas vendimit të senatit akademik për hartimin e kësaj forme vlerësimi, ajo u është shpërndarë të gjitha fakulteteve për mendim.

“Duke marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e tyre është hartuar forma përfundimtare, që më pas do t’u shpërndahet sërish fakulteteve për t’u përdorur gjatë provimeve të fundit të semestrit të dytë të këtij viti akademik”, sqaroi rektorati i UT-së.

Forma e vlerësimit

Plot nëntë pyetje do të jenë për dijet e përfituara nga studentët lidhur me njohuritë mbi terminologjinë, metodat dhe tendencat. Studentët do të pyeten lidhur me parimet, konceptet e teoritë bazë dhe nëse ata kanë përmirësim në të menduarit logjik, si dhe aftësi për zgjidhjen e problemeve dhe marrjen e vendimeve. Studentët do të vlerësojnë sipas shkallës së zhvillimit të aftësive për sistemimin e ideve dhe paraqitjen e tyre në materiale të shkruara e gojore. Studentët do të vlerësojnë nëse objektivat, kërkesat dhe rëndësia e lëndës janë shpjeguar në shembujt realë dhe aplikimet praktike janë inkorporuar në leksionet, diskutimet, detyrat e kursit dhe shembujt studimorë.
Po ashtu, studentët do të pyeten lidhur me marrëdhënien me pedagogun. Formulari pyet nëse pedagogu është mjaft i interesuar për studentët, i përgjegjshëm për sa u përket problemeve të lëndës dhe korrekt në mësimdhënie. Cilësia e mësimdhënies, komunikimi i profesorit me studentët, si dhe metoda e vlerësimit do të jetë një pjesë e subjektit të formës së vlerësimit.
Formulari do të përmbajë edhe pyetje lidhur me infrastrukturën ku zhvillohet mësimi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›